IKSHPK-ja përmes një komunikate për media bën të ditur se një person nga ekipi i ri i Prishtinës ka rezultuar pozitiv nga testimi i 27 anëtarëve të saj më 20 gusht 2020.
IKSHPK bën të ditur se ka qenë në kontakt të afërt me menaxhmentin e KF Prishtinës gjatë muajit të fundit me qëllim të ofrimit të shërbimeve të testimit për SARS-CoV-2 për anëtarët e saj.
“Me kërkesën e KF të Prishtinës fillimisht me datën 05.08.2020 janë testuar 34 anëtarë të saj nga të cilët shtatë kanë rezultuar pozitivë, testim ky i kryer para fillimit të përgatitjeve për ndeshjen në Gjibraltar. Gjithashtu me datën 15.08.2020 janë testuar 44 anëtarë të KF Prishtinës nga të cilët nëntë kanë rezultuar pozitivë. Pas ritestimit të tyre me datën 16.08.2020, tre kanë rezultuar pozitivë, nga të cilët dy ishin të raste të reja të konfirmuara (përveç atyre të datës 05.08.2020)”, thotë IKSHPK.
Tutje ajo njofton se me datën 19.08.2020 janë testuar 40 anëtarë të KF Prishtinës, nga të cilët 9 rezultuan pozitivë. Në bazë të kësaj kronologjie të testimeve vërehet se infeksioni me COVID-19 ka qarkulluar në mesin e anëtarëve te KF Prishtina në javët e fundit.
“Është shumë e mundur që rastet të cilat nuk janë detektuar me datën 15.08.2020 në IKSHPK kanë qenë në fazën e hershme të infeksionit dhe për këtë arsye potencialisht kanë rezultuar pozitive me datën 17.08.2020 gjatë mostrimit në Gjibraltar”, thotë IKSHPK.
Duhet theksuar se rreziku për paraqitje të rasteve të reja në mesin e anëtarëve të klubit gjatë ditëve pas testimeve të kryera ka qenë dhe është i pranishëm duke marrë në konsiderim faktin që inkubimi gjatë infeksionit është 2-14 ditë dhe të gjithë anëtarët kanë qenë në kontakte të afërta të rasteve të konfirmuara.
“IKSHPK me kërkesë të KF Prishtina sot, me datën 20.08.2020, ka kryer testimin për prani të SARS-CoV-2 te anëtarët e ekipit të dytë të Prishtinës dhe nga 27 të testuar një ka rezultuar pozitiv dhe për këto rezultate është informuar menaxhmenti i KF të Prishtinës”, thuhet në njoftim.