Policia e Kosovës ka shkatërruar sot dhjetëra armë ilegale që janë konfiskuar, e që për to kanë përfunduar të gjitha procedurat gjyqësore, raporton Ekonomia Online.
Armët, numri i të cilave nuk u saktësua janë demoluar dhe më pas shkrirë në fabrikën e “Metal Holding” në Ferizaj. Metali i shkrirë do të përdoret për bërjen e kapakëve për puseta.
Zv.drejtori i PK-së, Dejan Jankoviq, tha se Policia në kuadër të fushëveprimtarisë së saj në zbatimin e ligjit dhe ruajtjen e qetësisë dhe sigurisë në përgjithësi, zbaton edhe strategji shtetërore dhe rajonale që kanë të bëjnë me kontrollin e armëve të vogla dhe të lehta, municionit dhe eksplozivëve.
Sipas tij, në baza vjetore, Policia e Republikës së Kosovës konfiskon mesatarisht rreth 1 500 armë të llojeve të ndryshme, municion të kalibrave të ndryshëm si dhe mjete të ndryshme plasëse, duke përfshirë edhe eksplozivët artizanalë.
“Me vendim të gjykatës, është lejuar shkatërrimi i armëve të llojeve të ndryshme të cilat janë konfiskuar në raste të ndryshme penale dhe për të cilat kanë përfunduar të gjitha procedurat gjyqësore”.
Blerim Gashani, zëvendëssministër i Punëve të Brendshme, tha se me këtë ngjarje Kosova është duke ritheksuar përkushtimin e fuqishëm që të zbatoj standardet më të larat ndërkombëtare për kontrollin e armeve, përkatësisht luftimin e posedimit të tyre.
“Sot është një ditë e veçanta kur Kosova sërish e rithekson përkushtimin e fuqishëm që të zbatoj standardet më të larat ndërkombëtare për kontrollin e armeve, përkatësisht luftimin e posedimit të armëve dhe monicionit. Armët që do të shkatërrohen sot do janë konfiskuara kryesisht nga Policia e Kosovës në operacione të ndryshme policore, PK ka qenë gjithmonë e përkushtuar për të ruajt sundimin e ligjit dhe për të ofruar siguri për qytetarët tanë dhe po vazhdon me të njëjtën edhe sot e kësaj dite”, tha ai.
Ministria e Punëve të Brendshme vitin e kaluar pati deklaruar se janë 250 mijë armë ilegale nëpër duart e qytetarëve.
Ky aktivitet është mbështetur nga Bashkimi Evropian si dhe përmes mbështetjes nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë- Programit të Kosovës për Siguri (KSSP) si dhe SEESAC.