Në 25-vjetorin e fillimit të bombardimeve të NATO-s kundër caqeve serbe, është vënë gurthemeli ku do të vendoset shtatorja e ish-kryeministrit britanik, Tony Blair në sheshin që mban emrin e tij në Ferizaj
Shtatorja do të ngrihet në Ditën e Çlirimit, nën organizimin e Fondacionit “Ne kujtojmë Tony Blair”.
“Për t’i qëndruar epokave si shenjë falënderimi e mirënjohje për kontributin e tij në lirinë e Kosovës”, ka shkruar kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, në faqen e tij në Facebook.
POSTIMI I PLOTË:
24 Mars 1999 është data kur përfundimisht e përgjithmonë, Kosova mori kthesën drejt lirisë për të cilën u luftua me shekuj, u sakrifikuan breza, ranë dëshmorë e martirë përgjatë historisë bijtë e bijat më të shtrenjtë të popullit shqiptar, kulmuar me luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – emblemës së krenarisë kombëtare dhe bombardimet e NATO-së ndaj caqeve ushtarake-policore serbe, që shembën përgjithmonë ngrehinën gjenocidale serbe mbi Kosovën.
Bota lëvizi më 24 Mars 1999, prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, shtetet anëtare të NATO-së e ku sot, në këtë përvjetor të 25-të të bombardimeve të NATO-së, në Ferizaj vumë gurthemelin, ku pak muaj më pas, në qershorin e çlirimit, nën organizimin e Fondacionit “Ne kujtojmë Tony Blair” do të ngritet shtatorja e ish Kryeministrit britanik, Tony Blair në sheshin me emrin e tij, për t’i qëndruar epokave si shenjë falënderimi e mirënjohje për kontributin e tij në lirinë e Kosovës!
Mirënjohës sa të jetë jeta, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe, shteteve anëtare të NATO-së, që më 24 mars 1999, ishin krahu nga ajri i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për çlirimin e Kosovës.
Lavdi Dëshmorëve të Kombit dhe të rënëve për liri!