Dhjetëra mijëra njerëz morën pjesë në vigjilje të enjten mbrëma për nëntë viktimat e sulmit në Hanau të Gjermanisë.
Në vigjiljet në Hanau dhe Berlin, njerëzit bartnin qirinj dhe trëndafila të bardhë.
Të mërkurën, një ekstremist i dyshuar i krahut të djathtë vrau nëntë vetë në dy bare.
I dyshuari më pas u gjet i vdekur në një apartament.
Hetuesit janë duke e trajtuar sulmin si akt terrorizmi.
Qeveria e Gjermanisë, ndërkaq, është duke u përballur me thirrje për të bërë më shumë për të luftuar kërcënimet nga ekstremi i djathtë.
Prokurori federal i Gjermanisë, Peter Frank, tha se i dyshuari, Tobias R, 43 vjeç, ka postuar online materiale që tregojnë “mentalitet të thellë racist”.
Të gjitha viktimat kanë qenë me prejardhje imigrante dhe disa prej tyre mendohet se janë me origjinë kurde.
Viktimat përfshijnë shtetas gjermanë dhe të huaj, të moshës 21 deri në 44 vjeç, tha prokurori federal.
Një qytetar boshnjak, një bullgar dhe një rumun vdiqën në sulm, thanë vendet e tyre.
Shoqata e Kurdëve në Gjermani tha se është “e zemëruar” me autoritetet për “mosluftimin e rrjeteve të krahut të djathtë dhe terrorizmit të krahut të djathtë”.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, e cilësoi sulmin si “helm të racizmit”.
Presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier, i cili ndoqi një nga vigjiljet, tha se Gjermania “nuk do të frikësohet”.