Ngjarjet sportive në Holandë duhet të zhvillohen pa praninë e shikuesve në tribuna deri atëherë kur të ketë vaksinë për koronavirusin, ka thënë ministri i Shëndetësisë së Holandës, Hugo de Jonge.
Pandemia globale ka infektuar mbi 41 mijë persona në Holandë. Numri i të vdekurve në këtë vend nga koronavirusi ka shkuar në 5288.
Kryeministri Mark Rutte ka thënë të mërkurën se sporti i organizuar mund të vazhdoj prej 1 shtatorit, ndërsa de Jonge ka theksuar se tubimet e mëdha të njerëzve nuk duhet të lejohen deri në zbulimin e vaksinës.
“Nuk mund të caktojmë një datë për hapin e fundit, tubimet masive. Ato në fakt janë të mundshme vetëm nëse ka vaksinë dhe askush se di se sa kohë duhet për këtë”, ka shkruar de Jonge në një letër për parlamentin e Holandës.
“Natyrisht ne shpresojmë se kjo do të ndodhë shpejtë, por një vit apo më shumë është më reale”.
Kampionati holandez është ndërprerë muajin e kaluar pasi qeveria holandeze vazhdoi masën për ndalim të ngjarjeve publike. Nuk është dhënë titulli i kampionit, ndërsa nuk ka pasur rënie dhe promovim, raporton Koha.net.