Policia financiare e Italisë janë duke i hetuar 20 persona për shitje të maskave, dorezave dhe dezinfektuesve kirurgjikë me çmime astronomike, duke përfituar nga frika që ka kapluar qytetarët e Italisë pas përhapjes së koronavirusit të ri.
Pakoja komplete – një maskë, doreza, një ballik, dezinfektues dhe një mbulesë për guacë tualeti – mund të kushtojë deri në 5 mijë euro. Vetëm maskat, të cilat shiten në tregun me pakicë për 1.50 euro, po shiten online për 1,500 euro copa, ka raportuar “wantedinmilan”, transmeton Koha.net.
Shitësit e këtyre produkteve po i sigurojnë blerësit potencialë se pajisjet mjekësore do t’i mbrojnë ata nga infeksioni me koronavirus.
20 personat të cilët po hetohen nga policia përfshijnë sipërmarrës, qytetarë privatë e madje edhe një punonjës shëndetësor, në rajonet Liguria, Lombardy, Marche, Campania dhe Piemonte.
Ata po hetohen nën dyshimin e mashtrimit komercial dhe mund të dënohen me burgim deri në dy vjet.
Më herët gjatë javës, zëvendëskryeprokurorja e Milanos, Tiziana Siciliano, kishte konfirmuar nisjen e hetimeve për rastet e rritjes së çmimeve të këtyre pajisjeve.
“Kemi vendosur të hapim hetim pas raportimeve në media për çmime të çmendura të këtyre produkteve (maska dhe gjele) në uebfaqe online dy ditëve të fundit”, kishte thënë për Reutersin, Siciliano.
“Çmimet e maskave online janë rritur nga një cent në 10 euro për copë dhe një shishe 1-litërshe e dezinfektuesit që javën e kaluar shitej për 7 euro, tani shitet për 39 euro”, tha të martën Siciliano.GazetaExpress.