Në Izrael zbulohet shpella me varre 2000-vjeçare

Prishtinë | 12 Qer 2018 | 14:55 | Nga

Kontraktuesve të Komunës së Tiberias iu ndërprenë punimet kur i gjithë betoni që hodhën në vrimat e thella prej 20 metrash, që kishin shpuar për të ndërtuar një lagje të re, u zhduk. Papritur një gërmues mekanik gjeti hyrjen në një shpellë, ku edhe gjetën betonin e humbur – dhe u zbulua një varrezë unike 2 mijë vjet e vjetër, transmeton sot “Koha Ditore” shkrimin e Israel Times.

Shpella me tri dhoma përfshinë hyrjen e dekoruar dhe dy dhoma të varrimit. Në hyrje, që është dëmtuar nga gërmimi, ende shihen mbetjet e mureve të pikturuara me të kuqe, të verdhë e të bardhë. Këto i ka bërë të ditura arkeologu Yari Amitsur nga “Israel Antiquties Authority”. Sipas tij, “shpella është një zbulim fascinues pasi që është një prej gjetjeve më unike në rajon”.

Në një bisedë për “The Times of Israel”, Amitsur inspektor i antikitetit i Tiberias dhe në rajonin e Lower Galilee, ka thënë se kompleksi i varrezës besohet se ka qenë pjesë familjare. Fillimisht, deshifrimi i mbishkrimeve greke është gjetur në arkivole të vogla dhe në varrezë, që nënkupton se babai dhe djali janë varrosur aty. Emrat nuk tregojnë për religjionin apo sfondin e atyre që janë të varrosur, pasi që edhe elita hebraike përdorte emra grekë: për shembull lideri i hasmoneanëve të shekullit II para Krishtit, Yohanan Hyrcanus.

“Latimi i kualitetit të lartë të gurit, kompleksiteti i shpellës, dekorimet dhe mbishkrimet greke tregojnë se shpella i ka takuar një familjeje të pasur, e cila ka jetuar në periudhën e romakëve”, ka thënë Amitsur.

Sipas tij, urnat dhe qoshet për shtrirjen e trupave të pajetë janë të dhëna mbi datimin e shpellës. Nga shekulli i parë para Krishtit deri tek shekulli i dytë i kohës sonë, praktikat e varrezave përfshinin shtrirjen e të vdekurve në vende të veçanta dhe më pas ktheheshin pas një viti për t’i marrë eshtrat e më pas për t’i vendosur ato në arkivole të vogla të qeramikës apo urna.

Kjo, sipas Amitsurit, është gjeneza e zakoneve hebraike për të vizituar varrin një vit pas vdekjes. Pas kësaj, trupi është shtrirë në një vend të ngrohtë në sarkofag dhe është lënë të pushojë në paqe.

Sipas Amitsurit, është shumë e pazakontë që në këtë rajon të gjenden varreza të tilla, derisa të tilla mund të gjenden më shumë në pjesë të tjera të shtetit, si në Beit Shearim dhe në rajonin e Jerusalemit. Ai është në dijeni vetëm për një të tillë në një tjetër rajon.

Në bazë të një komunikate nga “IAA”, shpella është e bërë nga gurët dhe sa i përket pjesës hyrëse, e ka një dhomë të madhe qendrore me disa varreza të dekoruara me qeramikë dhe urna të gurit, e po ashtu edhe me varreza të vogla të brendshme (aty ku është gjetur betoni). Dyert me gurë të gdhendur dikur shërbenin për të mbyllur hyrjen në secilën dhomë. Tiberias ishte emëruar në nder të Perandorit Romak Tiberius dhe është themeluar në shekullin XVIII nga djali i Herodit të Madh, Herod Antipas. Në bazë të komunikatës së “IAA”, ai u bë qytet i madh dhe shërbeu si kryeqytet i Galilee.

“Në periudhën romake dhe bizantine, disa fshatra të vogla u rritën për tu bërë qytete, përfshirë Beit Maon, vendi i Resh Lakish, Kofra, Be’er Meziga, dhe shumë të tjerë”, shkruhet në komunikatë. Tani shpella është duke u testuar dhe kryetari i Tiberias, Yossi Ben David premtoi se plani i lagjes së re do t’i përshtatet ruajtjes dhe konservimit të saj.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme