Në “Javën e Bibliotekës Kombëtare” Haradinaj premton më shumë vëmendje për librin

Prishtinë | 10 Pri 2018 | 12:47 | Nga Besjana Bajrami Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në mesin e shumë të pranishmëve, fytyra të njohura të artit dhe adhurues të librit, ka filluar edicioni i 16-të i  Javës së Biblotekës Kombëtare me temën “Arsimimi dhe Trajnimi Bibliotekar”.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili ishte i pranishëm në hapjen e javës së Bibliotekës Kombëtare tha se Qeveria nuk ka bërë mjaftueshëm për Bibliotekat në Kosovë, raporton Ekonomia Online.

“Qeveria e Kosovës vjen pak si e turpëruar para juve, sepse nuk po i kushtojmë kohë dhe vëmendje librit. Kemi biseduar së bashku që infrastrukturën e bibliotekave ta trajtojmë me respekt, duke filluar nga ky objekt. Pastaj marrëdhëniet me botues dhe gjitha institucionet e librit dhe gjithë ata që në mënyra të ndryshme e ngritin nivelin tonë, që na bëjnë të barabartë me popujt e tjerë”, tha ai.

Ministri i Kulturës, Kujtim Gashi tha se Ministria është e përkushtuar që të ndihmojë në funksionimin e mirë të bibliotekave në Kosovë.

“Ky aktivitet që zhvillohet që 16 vite ka trajtuar tema e problematika të ndryshme duke mbledhur edhe krijues e studiues të ndryshëm që të hedhin dritë mbi sukseset dhe problematikat në këtë fushë. Ministria e Kulturës është e vetëdijshme për rëndësinë e bibliotekës dhe është e përkushtuar të krijojë kushte të nevojshme. Përkundër arritjeve natyrisht që vizioni ynë nuk mund të quhet i arritur kur kemi disa probleme dhe sfida”, tha ai.

Ai përmendi edhe problemet e Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani”, ku u zotua se do të ndihmojnë që problemet të zgjidhen sa më parë në mënyrë që ky institucion të funksionojë ashtu siç e meriton.

Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Greg Delawie tha se bibliotekat janë një nga institucionet më të rëndësishme të edukimit të brezave të rinj.

“Bibliotekat janë thelbësore për edukimin e të rinjve, për këtë arsye i kemi mbështetur veprimtarinë e Bibliotekës në mënyrë të vazhdueshme. Bibliotekat në Kosovë përballen me disa vështirësi, duke filluar me ndërtesat e papërshtatshme dhe fondet e pamjaftueshme për burimet e reja, mirëpo me këto sfida përballen të gjitha bibliotekat në botë, mirëpo me qasjen e duhur mund të tejkalohen këto vështirësi”, tha ai.

Fazli Gajraku, drejtor i Biblotekës Kombëtare, tha se Java e Bibliotekës në Kosovë ka gjetur përkrahje nga institucione të ndryshme.

“Nëpërmjet kësaj veprimtarie kërkojmë që të ndërtojmë një fushatë për përkrahjen e biblotekave në Kosovë. Kjo është veprimtaria më e rëndësishme që po i bën bashkë politikanë dhe dashamirë të librit. Tema e Javës së Bibliotekës në Kosovë është “arsimimi dhe edukimi bibliotekar”. Në programin e Javës së Biblotekës në Kosovë kërkojmë përgjigjje për pyetjet dhe çështjet që na shqetësojnë”, tha ai.

Ndërkaq pas përfundimit të fjalimeve u ndanë mirënjohje për kontribuuesit e Bibliotekës Kombëtare gjithashtu të pranishmit patën rastin të shohin edhe një ekspozitë nga Biblioteka e Shqipërisë e cila u soll në Bibliotekën Kombëtarë të Kosovës e që trajtonte luftërat e Skënderbeut.

Të ngjashme