Banka Qendrore e Kosovës (BQK), së bashku me Shoqatën e Bankave të Kosovës, kanë nisur aktivitetet lidhur me “Javën Ndërkombëtare të Parasë”, e cila sivjet shënohet me moton “Të mësojmë si të fitojmë dhe kursejmë më shumë”, raporton Ekonomia Online.
Aktiviteti i sotëm është zhvilluar me nxënës të shkollës fillore private “Don Bosko”.
Nxënësit kanë bërë punime në lidhje me paratë dhe kursimet. Ata kanë punuar nga një libër të kursimeve, në të cilin ata kanë shprehur mendimet e tyre rreth rëndësisë së kursimeve, planifikimet e tyre të kursimeve dhe rreth asaj se çfarë do të bënin ata me paratë e kursyera.
Zëvendës guvernatori i BQK-së, Lulzim Ismajli, duke folur para fëmijëve theksoi se sektori i shërbimeve financiare ka rëndësi të madhe në zhvillimin ekonomik të vendit.
Ismaji shtoi se BQK-ja është e përkushtuar të avancojë programin afatgjatë për edukimin financiar.
“Sistemi financiar është duke evoluar. Sektori i shërbimeve financiare ka peshë të madhe në rritjen ekonomike. Gjatë vitit 2017 kemi realizuar aktivitete të ndryshme në fushën e edukimit financiar me nxënës e studentë.
“BQK së bashku me Shoqatën e Bankave të Kosovës tradicionalisht shënon Javën Ndërkombëtare të parasë. Sot shënojmë fillimin e Javës së Parasë, gjatë javës do të këtë aktivitete të ndryshme”.
Gjatë kësaj jave hapet dhe një konkurs në fushën e edukimit financiar. Ismaili ftoi studentët e Universitetit të Prishtinës që të konkurrojnë. “BQK-ja do të jetë e përkushtuar të avancojë program afatgjatë për edukimin financiar”.
Petrit Balija, drejtor i Shoqatës së Bankave, tha ata po i bashkohen sot një iniciative ndërkombëtare e cila ka për qëllim ngritjen e vetëdijësimit për përdorimin e parasë.
Balija bëri të ditur se do të zhvillojnë aktivitete në komuna të ndryshme, të cilat sipas tij, do të ngrisin vetëdijesimin e gjeneratave rreth menaxhimit të financave.
“Sot sektori financiar po i bashkëngjitet një iniciative ndërkombëtare që ka për qëllim të ngrisë vetëdijesmin për paratë. Sektori financiar ka prioritet të ju informojë që t’i menaxhoni sa më mirë paratë e juaja. Është me rëndësi që kemi siguruar një pjesëmarrje të madhe. Do të vizitojmë komuna të ndryshme, ku do te zhvillojmë aktivitete vetëdijesuese”.
Ai shtoi se aktivitetet e këtilla ndihmojnë gjeneratat e reja për menaxhim sa më të mirë të financave. “Shpresojmë që edhe ju të kontribuoni për gjeneratat e ardhshme”, ka thënë Balija.
BQK-ja gjatë kësaj jave do të lansojë një ueb faqe, në të cilën do të publikohen materiale dhe informacione nga aktivitetet e kësaj jave, si dhe informacione të tjera me qëllim edukimin financiar.
Nga nesër pritet të nisin ligjëratat me studentë të Universitetit të Prishtinës, si dhe për studentët do të hapet një konkurs për krijimin e një videoje në lidhje me edukimin financiar.