Në Klinikën e Biokimisë sëmundjet diagnostikohen me aparatura të stërvjetruara

Prishtinë | 31 Kor 2018 | 08:27 | Nga

Në Klinikën e Biokimisë sëmundjet diagnostikohen me aparatura të vjetra, të cilat nganjëherë kanë edhe defekte dhe mbesin jashtë përdorimit. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, aparatura e cila është përdorur për shtatë vjet duhet të dalë jashtë përdorimit, por pavarësisht kësaj spitalet në Kosovë vazhdojnë të punojnë me to, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Drejtori i Klinikës së Biokimisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Shemsi Veseli, ka thënë për “Zërin” se në këtë klinikë sëmundjet po diagnostikohen me aparatura të vjetruara. Sipas tij, numri i pacientëve që kërkon trajtim në këtë klinikë është i madh, mirëpo aparaturat janë të vjetruara dhe ndonjëherë për shkak të defekteve edhe nuk funksionojnë.

“Aparatura është e vjetër. Sa i përket laboratorit biokimik, ato i kalojnë mbi shtatë vjet dhe nevojat janë të mëdha në përgjithësi në këtë klinikë. Duke u bazuar në atë se këtu hulumtohen dhe diagnostikohen sëmundjet, atëherë nevoja është imediate që kjo klinikë të furnizohet me aparaturë të teknologjisë më të re, e cila besoj që do ta avanconte procesin e shëndetësisë. Do të kishte probleme shumë më të vogla edhe në diagnostikimin e sëmundjeve, por edhe do të ndihmonte në jetëgjatësinë e pacientëve”, ka thënë ai për “Zërin”.

Ai ka treguar se nëse do të investohej në diagnostikë qytetarët do të kërkonin shërim në institucionet publike shëndetësore në Kosovë dhe nuk do të drejtoheshin jashtë vendit.

“Kemi aparatura që kanë nevojë për servisim. Tani sado që funksionojnë nuk e kanë efektin e vet profesional, pasi janë të tejkaluara pak. Biokimia në botë ka shkuar shumë përpara duke u bazuar edhe në analiza. Ka biologji molekulare, gjenetike, shumë gjëra të tjera që bëhen krahas biokimisë, ku bëhen parametra që janë shumë të domosdoshme për diagnostikimin e sëmundjeve, gjegjësisht edhe për hapjen e mundësisë që shumë pacientë të cilët kanë probleme të mos maltretohen dhe të dalin jashtë Kosovës”, ka theksuar ai…

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme