Paketa anti-shpifje që ka ngjallur debat në Shqipëri dhe reagime nga organizatat ndërkombëtare, u bë temë diskutimi edhe në Komisionin e Helsinkit në Uashington të mërkurën. Në kushtet kur Shqipëria merr kryesinë e radhës në OSBE në janar, këshilltari i Komisionit të Helsinkit, Bob Hand shprehu nevojën për një autoritet moral dhe në këtë frymë tha se një vullnet për të marrë parasysh kritikat ndaj paketës anti-shpifje do të jenë tregues.
Siç njofton kolegia Keida Kostreci, në diskutimin e Komisionit të Helsinkit, me anëtarët të delegacionit të Shqipërisë, në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së, zoti Hand shtroi pyetjen se si ndikojnë ligjet e paketës anti-shpifje tek besueshmëria e saj për të nxitur vendet e tjera që të marrin hapa përpara.
Ditmir Bushati, kryetar i delegacionit të Shqipërisë në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së dhe deputet i Partisë Socialiste tha se e kupton këtë shqetësim.
“I kuptojmë shqetësimet e shprehura nga shoqëria civile dhe përfaqësuesit e medias. I kemi parë dhe ndjekur kritikat jo vetëm nga OSBE-ja, sespe edhe BE-ja ka shprehur kritika lidhur me këto ligje dhe do të doja të shprehja bindjen time se në fund të këtij procesi, një zgjidhje racionale do të triumfojë”.
Qëndrimi i Bushatit lë të kuptohet se shumica është e hapur për ndryshime. Qeveria ka lënë të kuptohet se qeveria nuk po tërhiqet, duke thënë se çështja është tani në parlament.
Disa nga ato sfida me të cilat përballet OSBE-ja dhe do t’i duhet të merret Shqipërisë si kryetare e radhës, ajo i ka ende të pazgjidhura plotësisht vetë, si sistemi zgjedhor, lufta kundër korrupsionit dhe shteti ligjor, si edhe demokratizimi.
Një shembull është debati i fundit për paketën anti-shpifje. Zoti Hand tha se çështje si kjo vënë në pikëpyetje autoritetin moral të Shqipërisë kur trajton çështje të lirisë së medias në vende të tjera.
“Shqetësimi im kryesor është se është problematike për Shqipërinë ë Shqipëria t’i ketë këto ligje, por edhe do të jetë e vështirë që Shqipëria që të ngejë zërin për lirinë e shprehjes në ato vende të OSBE-së që kanë më shumë kufizime se Shqipëria në këtë drejtim”, i tha ai Zërit të Amerikës.
Ai shtoi se “Shqipëria duhet të bëjë hapa përpara në këto fusha, nëse si kryetare e OSBE-së do që të nxisë dhe t’u kërkojë vendeve të tjera që të ndërmarrin hapa në një drejtim pozitiv”.
“Kështuqë kur e ngrita si çështje në diskutim, ishte në kontekstin që janë bërë kritika nga përfaqësuesi i OSBE-së për lirinë e medias, si edhe nga pjesë e mirë e shoqërisë civile. A ka gjë tjetër që qeveria e Shqipërisë ose anëtarët e parlamentit mund të bëjnë, që këto shqetësime të adresohen në një rishkim të projekt-ligjeve, të gjendet një zgjidhje që të ketë më shumë konsensus”.
Hand tha se mënyra se si trajtohet kjo çështje, mund të përdoret si një shembull pozitiv i angazhimit me shoqërinë civile dhe bashkëpunimin me institucionet e OSBE-së, për të marrë rezultatin më të mirë të mundshëm.
“Shpresoj që ky proces të mos jetë mbyllur, por të jetë në vazhdim e sipër dhe të kemi një zgjidhje të mosmarrëveshjeve lidhur me projekt-ligjet që ekzistojnë tani”, tha ai.
Rudina Hajdari, anëtare e delegacionit të Shqipërisë nga opozita, ra dakord me shqetësimet.
“Do të vazhdojmë të shprehim kundërshtimin tonë dhe të vëzhgojmë situatën”, tha ajo.
Duke shprehur shqetësimet për mungesën e vullnetit të qeverisë për kompromis, për çështje si reforma zgjedhore dhe paketa e ligjeve anti-shpifje, ajo tha për Zërin e Amerikës: “Ne duhet t’u tregojmë vendeve të tjera anëtare që ne jemi një partner solid për ta marrë këtë sfidë përsipër.”
Në diskutimin e Komisionit të Helsinkit, anëtarë të delegacionit të Shqipërisë në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së, folën për përparësitë që do të ndjekë Tirana në vitin kur mban kryesinë.
Hand solli edhe një perspektivë historike, duke rrëfyer se si në vitin 1991, në një seancë të Komisionit të Helsinkit, shkrimtari Ismail Kadare bëri thirrje që Shtetet e Bashkuara ta mbështesnin aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim në Këshillin e Sigurisë dhe Bashkëpunimit në Evropë, jo si mbështetje për regjimin por për t’u dhënë shpresë njerëzve.
Ai iu drejtua zonjës Hajdari, vajzës së njërit prej protagonistëve të lëvizjes pro-demokraci dhe një nga figurat e Partisë Demokratike, Azem Hajdarit.
“Babai juaj, ndërhyri menjeherë duke thënë ‘e mbështet plotësisht zotin Kadare dhe kjo do të ishte një mbështetje e madhe morale për popullin e Shqipërisë që ka vuajtur aq shumë’”.
Hand sugjeroi që me kryesinë e radhës së Shqipërisë plotësohet një cikël dhe shprehu shpresën që kjo të jetë një nxitje për të çuar përpara procesin e demokracisë dhe tranzicionit deri kur t’i plotësojë të gjitha aspiratat për integrim evropian./VoA