Projektligji për ndarjet buxhetore për vitin 2021 nuk është votuar në Komisionin për Buxhet dhe Transfere për shkak të mungesës se kuorumit, raporton Ekonomia Online.
Të njëjtin fatin e pati edhe Projektligji për Rimëkëmbjen Ekonomike.
Fillimisht deputeti Shkëlzen Hajdini ka propozuar që dy Projektligje ai për Rimëkëmbje dhe ai i Buxhetit të shtyhen për mbledhjen tjetër.
Kurse deputeti i PDK-së, Kujtim Shala, ka thënë se mosmiratimi i Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike është bërë problem për qytetarët e bizneset.
Edhe deputeti i LDK-së, Fatmir Rexhepi ka thënë se Kuvendi është tepër vonë për të votuar Projektligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike.
Deputeti i AAK-së, Gazmend Abrashi ka thënë se problemi për moskalimin e këtij Ligji është bërë politik.
Kurse deputeti Veton Berisha ka thënë se e konfirmon se me votë publike e mbështetë propozimin e Kujtim Gashit të PDK-së në favor të amendamenteve.
Në Komision është miratuar raporti nëntëmujor për shpenzimet e Kuvendit të Kosovës, raporton EO.
Deputeti i PDK-së, Bedri Hamza, tha se për shkak të pandemisë shpenzimet janë më të ulëta.
“Shpenzimet për shkak të pandemisë mund të jenë më të ulta. Andaj s’duhet të merren si korrekte për t’u krahasuar me vitin paraprak”.
Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, Ismet Krasniqi. ka konfirmuar se për shkak të mosmbajtjes së shumë aktiviteteve janë ulur shpenzimet.
“E mbaj përgjegjësinë që nuk është kursim, por nga mosmbajtja e aktiviteteve janë ulur shpenzimet”.
Kryetari i Komisionit, Hekuran Murati, ka thënë se mund të bëhet racionalizim i shpenzimeve, raporton EO.