Në Kosovë janë 43 institucione parashkollore publike, 9% e fëmijëve frekuentojnë ato

Prishtinë | 14 Mar 2019 | 13:40 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Lëvizja Vetëvendosje me mbështetjen e Sekretariatit të Gruas Aktiviste dhe shoqërinë civile zhvilloi tryezën: “Përgjegjësitë për edukimin e hershëm të fëmijëve – Roli shtetëror vs roli prindëror”.

Deputetja Arbërie Nagavci, tha se nuk mund të ketë edukim të mirëfilltë pa krijimin e kushteve për një shkollim parashkollorë, raporton Ekonomia Online.

Ajo ka sqaruar se në Kosovë janë 43 institucione parashkollore publike.

“Arsimi parashkollorë është një mënyrë për të përfaqësuar kohezionin social. Është e vërtetuar se 6 vitet e para të fëmijës kanë ndikimin më të madh të formimit të personalitetit të njeriut andaj është e domosdoshme të ofrohen mundësi që fëmijët t’i ekspozohen përvojat të cilat do duhej tu ofroheshin nga institucionet përgjegjëse. Edhe pse institucionet tona e kanë shpallë arsimin prioritet kjo gjë nuk ka ndodhur”.

“Institucionet parashkollore publike në Kosovë janë 43. Pjesa më e madhe është në komunën e Prishtinës ndërsa në shumicën e zonave rurale nuk ka fare.  Sa i përket shpenzimeve të Qeverisë në arsim për 2017, 0.1 për qind në nivelin parashkollorë dhe në atë parafillorë është 0.2 për qind e bruto produktit vendorë. Mund të konstatojmë se ka një dështim të vendimeve të vetë Qeverisë. Kjo bie ndesh edhe me të drejtat e fëmijëve”.

“Një faktor është edhe niveli social i familjeve, papunësia, situata politike në vend sidomos në zonat rurale. Një fakt tjetër shqetësues është lënia e fëmijëve te nënat. Shpesh herë ato nuk kanë arritur një përgatitje në edukimin e fëmijës. Në kujdesin maksimal që u kushton fëmijëve shpesh herë u kushton më shumë siç duhet fëmijëve të tyre kujdes dhe sipas studimeve pa dashje e pengon zhvillimin e tyre”.

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka tha se mënyra e mendimit të shoqërisë kosovare është një faktor që gruaja në shoqërinë tonë është më pak pjesëmarrëse në tregun e punës, raporton EO.

“Mungesa e çerdheve është një çështje e cila lidhet me politikat mbështetëse për pjesëmarrjen e gruas në shoqëri. Në aspektin e roleve gjinore se si është shoqëria jonë në Kosovë, përkujdesjen e fëmijëve e lidhin me nënën dhe nuk ekziston mundësia që nëna të dërgojë fëmijën në çerdhe dhe ato nuk kanë mundësinë të marrin pjesë në tregun e punës”.

“Nuk kalon më shumë se 9 për qind numri i fëmijëve që shkojnë në institucione parashkollore dhe parafillore. Kjo përqindje është e ulët në aspektin e parashikimeve që janë vënë në planet brenda ministrive dhe korrespondon me shifrën e pjesëmarrjes së grave në tregun e punës.  Sipas studimeve vetëm 16.6 për qind e grave marrin pjesë në tregun e punës që është ndër shifrat më të ulëta në botë”.

Ai tha se si shkak edhe i pagave të ulëta, gratë shpesh herë detyrohen që të kujdesen për fëmijët në shtëpi sepse nuk mund t’ia dalin me një rrogë mesatare 250 euro.

“Në shumicën e rasteve gruaja merr vendim të mos punojë dhe të kujdeset për fëmijët. Në këtë aspekt e kemi shkallën shumë të ulët të pjesëmarrjes në tregun e punës”.

“Në universitet kemi rritje të pjesëmarrjes së grave. Por kjo nuk po reflektohet, edhe pse e kryen fakultetin, martohet dhe në mungesë të mbështetjes së fëmijëve shumë gra vendosin që të mos marrin pjesë në tregun e punës derisa fëmija rritet”.

“Një nga politikat që ne kemi ndërmarrë si komunë është të kthejmë çerdhet publike në Prizren, të bëjmë çmime të përballueshme për gratë që dëshirojnë të punojnë. Kemi filluar dy çerdhe të mëdha brenda qytetit. Njëra është nga investimet e komunës dhe tjetra e kemi me ministrinë e Administratës Publike. Në mars fillojmë një çerdhe me fondacion të huaj dhe një tjetër me Ministrinë e Arsimit”.

Drejtoreshë e çerdheve me bazë komunitet në komunën e Prishtinës, Anduena Harrni, tha se çerdhet e tilla ofrojnë kosto më të përballueshme se sa ato private e publike.

“Këto çerdhe janë çerdhe që japin program të larmishëm duke u bazuar në standarte pedagogjike, në udhëzime asminsitrative për ë pranuar staf që është kualitativ për kujdesen e fëmijëve. Çka ndryshon prej çerdheve publike e private është hierarkia sepse prindërit janë pjesë e çerdheve dhe e vendimmarrjes në çerdhe”.

“Gjithë buxheti i cili alokohet në çerdhe janë prindërit ata që e mendojnë më të mirën për fëmijët e tyre. 98 për qind e prindërve janë të kënaqur me çerdhet me bazë në komunitet”.

Të ngjashme