Në Kosovë do të mbajë mot i paqëndrueshëm deri të enjten. Reshjet e borës do të vazhdojnë edhe në ditët e para të javës së ardhshme, ndërsa do të dobësohen nga dita e martë.
Temperaturat minimale në pesë ditët e ardhshme do të lëvizin ndërmjet -4 gradë Celsius dhe 0 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale nga 2 deri në 11 gradë Celsius.
“Ndonëse jemi futur zyrtarisht në stinën e pranverës më 20 mars, ky mot po i ngjan një dimri të hershëm apo pranvere të vonuar. Kjo situatë e parashikuar meteorologjike nuk na ka habitur, sepse sipas statistikave që kemi në IHMK, borë ka rënë edhe në pjesën e parë të muajit prill. Bora e cila po bie do të vazhdojë edhe në pjesën e parë të javës së ardhshme, por intensitet i saj do të dobësohet nga e marta (23 mars Dita Botërore e Meteorologjisë). Mot i paqëndrueshëm dhe me temperatura nën vlerat e mesatareve do të vazhdoj deri ditën e enjte. Tutje do të ketë rritje graduale në fushat termike. Bora e cila po bie, aty ku ka mbulesë të tërësishme, do të jetë në favor të kulturave bimore, pasi që do të jetë një mbrojte nga ngricat që do të jenë prezent gjatë kësaj jave”, thuhet në njoftimin e Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës.