Me rastin e 241-vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Garda Ceremoniale e FSK-së ngriti flamurin amerikan pranë shtatores së Bill Clintonit në sheshin me po të njëjtin emër.
Përfaqësuesi i shoqatës “Miqtë e Amerikës”, Agim Rexhepi, ka thënë se përmes këtij aktiviteti simbolik po mundohen të përçojnë mirënjohjen e tyre te populli amerikan për të gjithë mbështetjen e dhënë deri më tani, raporton Ekonomia Online
“I dërgoj mesazhe popullit dhe institucioneve amerikane se ne populli i Kosovës jemi dëshmitar, jemi mirënjohës për veprimet që keni bërë ndaj neve dhe se do të jemi pirjet e mot falënderues. Njëkohësisht, me një veprim të tillë dëshirojmë të dërgojmë mesazh që ne kemi merituar të veprohet pro interesave tona dhe se e meritojmë edhe më fuqishëm të punohet dhe me na përkrah sikurse deri më sot, jo vetëm në aspektin ekonomik por edhe në aspektin politik, ushtarak, arsimor si dhe në të gjitha format si kanë vepruar deri më sot”, ka thënë ai.
Më 4 korrik të vitit 1776 në Filadelfia është miratuar Deklarata e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara, e cila njoftoi se 13 kolonitë amerikane, në atë kohë në luftë me Mbretërinë e Bashkuar, e konsiderojnë veten si 13 shtete të pavarur dhe sovranë, që nuk janë më nën sundimin britanik.