Në debatin e sotëm në Kuvend i cili është thirrur nga deputetët Andin Hoti dhe Saranda Bogujevci lidhur me fatin e personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë, u shfaq një dokumentar, përmbledhje e fateve të të gjithë të pagjeturëve tash e 19 vite, raporton Ekonomia Online.
Ky dokumentar foli për heroin Ukshin Hoti dhe veprimtarinë e tij ndër vite, i cili mbrojti haptas kërkesat e studentëve në vitin 1981. Ai pasi u arrestua, u nxorr nga burgu i Dubravës dhe prej asaj dite nuk dihet për fatin e tij.
U shpjegua masakra e 25 marsit 1999 në Krushë të Madhe, ku u masakruan shumë qytetarë dhe mbeten peng një numër i madh i tyre.
Ky dokumentar përfshin vuajtjet e familjeve shqiptare, që sot e 19 vite nuk dinë asgjë për fatin e më të dashurëve të tyre. Një ndër rastet e përfshira në këtë dokumentar është ai i Ferdonije Qerkezi nga Gjakova, e cila gjatë luftës së fundit ka humbur bashkëshortin dhe 3 djemtë e saj.
Pjesë e dokumentarit ishin edhe gjykimet që mbaheshin në Hagë, ku po merreshin në pyetje punëtorët e kompanive serbe që kanë bartur me kamionë kufomat shqiptare për t’i zhvendosur në lokacione të ndryshme të Serbisë, raporton EO.
Në fillim të prillit 1999, gjurmët e para të krimeve në Kosovë janë shpërfaqur në lumin Danub në pjesën lindore të Serbisë, ku ndër ta kishte fëmijë, gra burra e pleq. Ky kamion-frigorifer me kufoma nga lumi Danub u zhvendos për në Batajnicë.
Në mesin e muajit prill të vitit 1999 në liqenin Peruqac në Serbinë Perëndimore ka dalë në sipërfaqe edhe një frigorifer me trupat e viktimave shqiptare nga Kosova.
Kamioni tjetër me kufoma ishte gjetur te shtëpia botuese, “Rilindja” në Prishtinë dhe sipas gjykimeve në Hagë, për personat që kanë bartur është thënë se janë dërguar në Batajnicë.
Sipas këtij dokumentari deri më sot janë 1600 të pagjetur.