Në një letër të publikuar dje, talibanët kanë kërkuar nga “populli amerikan” që t’i bëjë presion qeverisë së tyre për tërheqje nga Afganistani, duke i përkujtuar ata se lufta në këtë vend është konflikti më i gjatë në të cilin ata ishin të involvuar, me një çmim prej “miliarda dollarësh”.
Në këtë letër me më se 3,000 fjalë, përsëritet oferta e njohur për një kohë të gjatë, për bisedime direkte me Shtetet e Bashkuara.
Por, Uashingtoni disa herë e ka refuzuar këtë ofertë, duke thënë se negociatat paqësore duhet të zhvillohen ndërmjet militantëve dhe qeverisë afgane.
Në këtë letër premtohet regjim më gjithpërfshirës, arsim dhe të drejta për të gjithë, përfshirë femrat, por duket se përjashtohet ndarja e qeverisjes, pasi theksohet se militantët kanë të drejtë ta formojnë qeverinë.