Fillimi i muajit maj do ta bëjë të qartë rrugëtimin e Kosovës drejt finalizimit të procesit të liberalizimit sepse në atë kohë pritet që në Kosovë të vijë një delegacion vlerësues i Komisionit Evropian.
Me këtë rast do të bëhet e ditur se sa është përmbushur kriteri i fundit për heqjen e vizave, luftimi i krimit të organizuar dhe i korrupsionit.
Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj është zotuar se konfirmimi për heqjen e vizave do të vijë brenda pak javësh, nga Lëvizja Vetëvendosje janë shprehur të bindur se një gjë e tillë nuk do të ndodhë fare këtë vit, shkruan Zëri”.
Ndërkaq, sipas ekspertëve të integrimit rekomandimi pozitiv mbetet pritje reale dhe fundi i këtij viti afat real për finalizimin e procesit të liberalizimit.
Por sipas tyre, një gjë e tillë mund të ndodhë vetëm nëse institucionet e Kosovës tregohen të përgjegjshme dhe efikase në dy muajt e ardhshëm.