Të gjithë bujqit që duan të marrin subvencione, prej sot e deri në fund të muajit maj, do të munden përmes rrugës elektronike të aplikojnë për marrjen e kësaj ndihmë shtetërore për këtë vit.
Bujqit që nuk dinë vet t’i mbushin fletë- paraqitjet, do të mund të kërkojnë ndihmë nga Njësitë rajonale të Ministrisë së bujqësisë, raporton Alsat.
Të gjithë që do të kërkojnë ndihmë shtetërorë për prodhimtari bimore, kërkesat duhet t’i dorëzojnë në bazë të informacioneve të evidentuara të parcelave në Regjistrin e Vetëm ndërsa blegtorët krahas kërkesës, duhet të dorëzojnë edhe të dhëna të përditësuara për gjendjen e kopesë për të cilën aplikojnë.
Drejtori i Agjencisë për nxitjen dhe zhvillimin e bujqësisë, Nikolçe Babovski shprehet se që të evitohen abuzimet, me filmime satelitore kontrollohet nëse në truallin e caktuar është mbjellë kultura e cila është paraqitur për marrje subvencionesh. Vitin e kaluar inspektorët kanë detektuar parregullsi vetëm tek një pjesë e vogël e bujqve ndërsa ka të tillë që nuk e kanë pasur dokumentacionin e kompletuar ose kanë pasur probleme tjera dhe si pasojë nuk i kanë marrë subvencionet.
“Minimal është numri i atyre që kanë dorëzuar kërkesa. Ata janë miratuara, por ende nuk kanë firmosur pajtueshmëri për shlyerjen e obligimeve ndaj institucioneve të caktuara siç është dhënia e tokës me qira ose borxhi ndaj Sh.A “Ujësjellësit” ose Sh.A “Kullosat” ose nëse personi ka ndërruar jetë dhe pritet trashëgimtarët ta mbarojnë procedurën trashëguese që të dorëzojnë llogari transaksioni”, deklaroi Nikolçe Babovski- drejtor i Agjencisë për Nxitjen dhe Zhvillimin e Bujqësisë.
Për këtë vit në dispozicion janë rreth 100 milionë euro ndihmë shtetërorë për nxitjen dhe zhvillimin e bujqësisë. Babovski thotë se vitin e kaluar janë paguar 78 milionë apo 97% nga kërkesat e përgjithshme për pagesën e subvencioneve si dhe për subvencioneve e mbetura të papaguara për vitet e shkuar.