Në fillim të muajit mars Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Infrastrukturës, duhet t’ia paguajë shumën prej 63 milionë eurove në formë penalltie kompanisë “Bechtel-Enka”, e cila po e ndërton autostradën Prishtinë-Shkup, shkruan sot Gazeta ‘Zeri’.
Gazeta “Zëri” mëson se ky është afati i fundit kur duhet të kryhet ky obligim financiar nëse eventualisht Ministria e Infrastrukturës nuk arrin ndonjë marrëveshje ndryshe me përfaqësuesit e kompanisë. Deri te kjo kosto shtesë, sipas ministrit të Infrastrukturës Pal Lekaj, kishte ardhur pasi Ministria e udhëhequr nga pararendësi i tij Lutfi Zharku nuk i kishte kryer me kohë obligimet financiare.
Kjo gjë i ka vënë në veprim disa deputetë të Komisionit për Zhvillim Ekonomik të Kuvendit të Kosovës. Ata po kërkojnë që sa më parë të bëhen publike detajet e këtij rasti.
“Çështja e dënimit nga ‘Bechtel-Enka’ duhet të trajtohet më shumë seriozitet nga ne si komision. Mbajmë përgjegjësi të gjithë për këtë punë. Unë propozoj që t’i bëjmë kërkesë ministrit që të vijë në Komision me dokumentacionin përkatës rreth detajeve të kësaj penalltie dhe asaj se pse ka arritur puna deri këtu”, ka thënë Mimoza Kusari-Lila në mbledhjen e këtij komisioni. Kusari Lila ka kërkuar me urgjencë nga sekretaria e Komisionit që t’i bëjnë kërkesë ministrit Lekaj për dokumentacionin e nevojshëm. “Deri në mars është afati kur duhet të kryhet ky obligim ndaj ‘Bechtel’-it. Andaj nëse nuk ndërmarrim diçka të gjithë jemi fajtorë”, ka pohuar Kusari-Lila, shkruan Zeri.
Për shumën prej 63 milionë eurosh, të cilën zyrtarët e kompanisë po e cilësojnë si kosto shtesë e jo penallti, Ministria e Infrastrukturës ka qenë e informuar me kohë, por nuk ka ndërmarrë asnjë veprim.