Mediet e shkruara në Kosovë, më shumë se 70 për qind të përmbajtjes e kanë në lidhje me burrat, ndërsa vetëm 24 % me atë çka merren gratë.
Kjo ka dalë nga një hulumtim i Agjencisë për Barazi Gjinore me temëm “Gratë në mediet e shkruara 2014-2015”.
Por, ky disbalans mes dy gjinive ndodh në gjithë botën, u tha me rastin e prezantimit të këtij hulumtimi, raporton Ekonomia Online.
Kryeshefja ekzekutive e Agjencisë për Barazi Gjinore, Edi Gusia, tregoi se hulumtimi është ndihmuar financiarisht nga qeveria suedeze.
“Artikujt për këtë hulumtim janë mbledhur nga media të shkruara gjatë periudhës kohore 2014-2015”, tha ajo.
“Me këtë rast e shfrytëzoj mundësinë ta përcjell mesazhin tek mediat për ofrimin e hapësirës adekuate të grave dhe vajzave kandidate në zgjedhjet lokale 2017. Në hulumtimet që i kemi bërë jo vetëm ne si Agjenci por edhe organizatat nga shoqëria civile dhe partnerët ndërkombëtarë jo rrallë here gratë politikane, gratë kandidate kanë cek problemin se atyre nuk iu është ofruar hapësira e njëjtë mediatike për të prezantuar programin e tyre dhe për t’u përfaqësuar denjësisht”.
Agon Maliqi, udhëheqës i ekipit të hulumtimit, prezantoi gjetjet dhe rekomandimet e dala nga ky hulumtim.
Fillimisht, ai theksoi rëndësinë e medieve në formësimin e qëndrimeve për çështje gjinore.
”Roli i mediave është problematik rreth çështjeve gjinore, jo vetëm në Kosovë. Këtu shpesh njëfarë lloj ideje që vetëm ne jemi problem. Kjo nuk është problem vetëm i Kosovës, por edhe në botë. Në vitin 2010-të në një studim sa i përket sasisë së mbulimit, sa përfaqësohen gratë në raport ne angazhimin e tyre shoqërore është diku 76 për qind e përmbajtjes mediatike merren me atë çka bëjnë burrat. Ndërsa 24 për qind merren me atë se çka bëjnë gratë. Kjo është në nivel botëror si statistika kështu që mos të ndihemi që jemi vetë në këtë problem. Pa dyshim që duhet të merremi edhe ne me këtë çështje. Kjo ndodh në të gjithë botën dhe jo vetëm në vendin tonë”, tha Maliqi.
Hulumtimi është bazuar në vlerësimin e artikujve të shtatë gazetave ditore të mbledhura gjatë viteve 2014-2015 që si për bazë kanë pasur tema të cilat kanë të bëjnë me vajzat dhe gratë.
Prej 1675 artikujve në 7 gazeta ditore, Koha Ditore dhe Kosova Sot kanë qenë dy gazetat që kanë pri në listën që kanë trajtuar tema me përmbajtje relevante mbi çështjet gjinore.
Disa nga rekomandimet e hulumtimit ishin: trajnime për gazetarët për treguesit e ndjeshëm gjinorë, përmirësimi i qasjes së gazetarëve sidomos në fushën e dhunës ndaj grave, promovimi i vajzave dhe grave të suksesshme në fushat tradicionalisht burrërore si dhe përfaqësues i balancuar gjinor në nivel menaxherial.