Në Ministri të Bujqësisë Auditori identifikon dhjetëra mijëra euro të humbura

Prishtinë | 28 Qer 2018 | 08:15 | Nga

Parregullsi në punësime e pagesa për të punësuar, parregullsi në regjistrim të pasurive e vonesa në realizim të projekteve, e procedim të pagesave, si dhe parregullsi në procese tenderuese, janë vetëm disa nga çështjet që ka identifikuar Zyra Kombëtare e Auditorit (ZKA) në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), shkruan sot Koha Ditore.

Në raportin e ZKA-së për këtë ministri për vitin 2017, nga 21 çështjet e identifikuara, ndër të tjera, janë edhe pagesa jo në pajtim me vendime dhe kontrata, mospërfshirja e departamenteve në rregullore, nënshkrimi i kontratave pa autorizim dhe ushtrimi i detyrës jo në pajtim me ligjin, si dhe parregullsi në procedurat e rekrutimit me marrëveshje për shërbime të veçanta.

ZKA-ja ka gjetur edhe regjistër të pasurisë jo të plotë dhe të mbivlerësuar, vonesa në realizim të projekteve, vërejtje sa i përket punës së komisioneve për shqyrtim të ankesave, mosrespektim të kritereve gjatë vlerësimit të tenderëve, klasifikim joadekuat të shpenzimeve në kode ekonomike, dhënie në shfrytëzim e tokave bujqësore në kundërshtim me kriteret ligjore, raportimi jo i plotë dhe vonesat në realizimin e pagesave, dobësitë në funksionimin e Njësisë së Auditimit të Brendshëm, ngecje edhe në zbatim të rekomandimeve të ZKA-së, si dhe vonesat në aprovim dhe mospërputhje në mes të programeve dhe udhëzimeve administrative.

Me të gjitha këto gjetje, sipas raportit, është pajtuar ministri i Bujqësisë Nenad Rikalo, i cili në përgjigjen që i ka kthyer ZKA-së, ka bërë të ditur se nuk ka komente lidhur me gjetjet dhe se është zotuar që do të hartojë planin e veprimit për zbatim të rekomandimeve të bërë në raport.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme