“Në MINT kurrfarë keqpërdorimi”, Kurti me ministra e deputetë e akuzojnë Prokurorinë Speciale se s’po merret me denoncimet e tyre

Prishtinë | 20 Gus 2023 | 17:29 | Nga Ekonomia Online

Afera me rezervat e shtetit e ka implikuar edhe Qeverinë. Ndërkohë, kryeministri Albin Kurti, bashkë me ministra, zëvendësministra e deputetë kanë hedhur akuza në drejtim të Prokurorisë Speciale, të cilën e lidhin me “sistemin e kalbur e të korrruptuar”

Arrestimet në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë të premtën, që vazhduan edhe me arrestimin e një biznesmeni, e nxitën kryeministrin Albin Kurti që në mbrëmje t’iu drejtohej qytetarëve në një video për të thënë se “Qeveria është e përgjegjshme dhe e drejtë” dhe se ajo ka sjellë “progres ekonomik dhe demokratik të paparë në Kosovën e pasluftës”.

“Nuk ka kurrfarë korrupsioni e keqpërdorimi”, tha Kurti, duke treguar se ministrja Rozeta Hajdari ka bërë punë të mirë. Ai e akuzoi Prokurorinë që nuk po merret me denoncimet e ministrave të tij për krimin e korrupsionin që ai thotë se e gjetën në institucione.

“Me qindra raportime zyrtare e kallëzime penale i kanë deponuar ministritë tona për krimin e korrupsionin që e kemi gjetur, mirëpo përgjithësisht kjo nuk i ka bërë përshtypje Prokurorisë së Shtetit”, tha Kurti.

Shefi i Qeverisë tha se aksionet si ai i së premtës janë përpjekje “për ta ndryshuar situatën” dhe se “janë në shërbim të planit për ta kthyer ish-sistemin e kalbur e të korrruptuar”.

Sipas tij, prokurorët dhe gjykatësit që po angazhohen në operacione të tilla janë të “elitës së vjetër dhe të korruptuar politike”.

“Piskamat, shpifjet dhe aksionet pompoze të tyre do të dëgjohen gjithnjë e me radhë”, paralajmëroi Kurti, si për të treguar se të tilla zhvillime mund të ketë sërish.

Në të njëjtën linjë reaguan edhe ministra, zëvendësministra e deputetë.

Deputeti i LVV-së, Armend Muja, në 4:32 të mëngjesit të sotëm e publikoi një postim të gjatë në Facebook. Tha se “dosja e prokurorit është e shkoqitur nga konteksti dhe ka gabime elementare”.

“Me gjasë zyrtarët janë arrestuar pa u dëgjuar fare. Çka nëse vjen malli nesër, pas një jave apo muaji? Motivi për tê stërrpikur apo ‘luftuar puritanizmin e VV’ nuk është vetëm i opozitës. A dëgjohen eksponentët e PLAN që kanë shitur tokat bujqësore (2 euro ari), kanë vjedhur subvencionet e grurit dhe kanë shterrur rezervat duke mbajtë ders?”, shkroi ndër tjerash Muja.

Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu tha se ajo çfarë ka bërë Prokuroria Speciale është “keqperdorim i mekanizmave ligjor per hakmarrje, e asgje me shume!”.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ndërkaq, e përmendi një kallëzim penal të cilin Prokuroria ia kishte hedhur poshtë atij në lidhje me keqpërdorimet në shpronësimet për rrugën Kijevë-Zahaq.

“Pra të gjitha provat e faktet hidhen në ujë, sepse bëhej fjalë për një rast ku ishte e përfshirë kasta e vjetër”, shkroi ndër tjerash Murati.

Qeveria e Kosovës është e implikuar në dosjen e Prokurorisë Speciale e cila po i heton dallaveret me rezervat shtetërore në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

Drejtori i Divizionit për Rezervat Shtetërore të Mallrave në MINT, Hafiz Gara, dhe drejtori i Departamentit për Integrim Europian dhe Koordinim të Politikave në po këtë ministri, Irfan Lipovica, u arrestuan të premtën. Me ta, edhe biznesmeni Ridvan Muharremi, i përfolur për lidhjet e tij të forta me Lëvizjen Vetëvendosje, përfshirë edhe afërsinë me kryeministrin Albin Kurti. Të tre, sipas Prokurorisë i kanë shkaktuar mbi 600 mijë euro dëm buxhetit të shtetit të destinuar për rezerva shtetërore.

Sipas Prokurorisë, të dyshuarit kishin sjellë 52.5 tonë më pak se sasia e kontraktuar e grurit, ndërsa fare nuk kishin sjellë vaj e sheqer. Vlera e dëmit të pretenduar llogaritet të jetë 601 mijë e 940 euro.

Të ngjashme