Në Mitrovicën e Veriut shkon kërkesa për peticion për shkarkimin e Kryetarit, Kryesuesi: U përgjigjem për 5 ditë

Prishtinë | 07 Dhj 2023 | 15:33 | Nga Ekonomia Online

Kryesuesi i Kuvendit Komunal në Mitrovicë të Veriut, Nexhat Uglanin, ka pranuar kërkesën e qytetarëve për inicim të peticionit për shkarkim të kryetarit Erden Atiq.

Uglanin, tha se ka pesë ditë kohë që të vendosë nëse duhet ta pranojë apo refuzojë këtë kërkesë.

Ai bëri të ditur se në kërkesë thuhet se komuna nuk është funksionale dhe se nuk po kryhen në nivel të duhur shërbimet ndaj qytetarëve.

“Po kam pranuar pak më herët, por do të shqyrtojë kërkesën , kam afat kohor pesë ditë. Do ta njoftoj MAPL’në, KQZ’në dhe kryetarin që e kam pranuar kërkesën, por unë si kryesues i kuvendit komunal do të ndërmarrë hapa konkrete a do të refuzoj apo pranoj kërkesën. Kërkesa thotë që komuna nuk është funksionale dhe nuk po i kryen shërbimet qytetarëve në nivel të duhur. Ata si iniciatorë nuk mund të merren se a funksionon komuna dhe a është shërbimi në nivel të duhur a jo”, tha ai.

Uglanin tha se nuk ka informacione nëse një kërkesë të tillë e kanë pranuar kryesuesit e kuvendeve komunale në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

Iniciuesit kishin dërguar kërkesën dje në KQZ mirëpo nga ky institucion i kanë kthyer përgjigje duke i udhëzuar që kërkesën ta nisin në adresë të kryesuesve të kuvendeve komunale.

Sipas udhëzimit administrativ, kryesuesi i kuvendit komunal duhet ta njoftojë KQZ’në dhe MAPL’në dhe t’u kthejë përgjigje iniciuesve brenda pesë ditëve.

Udhëzimi administrativ u hartua nga MAPL për t’i hapur rrugë zgjedhjeve të reja në Veri, pasi opsioni i dorëheqjeve ishte i papranueshëm për krerët e shtetit.

Erden Atiq, Izmir Zeqiri, Lulzim Peci dhe Ilir Peci u zgjodhën kryetarë pasi fituan zgjedhjet e 23 prillit, të cilat u karakterizuan me dalje të ulët të qytetarëve.

Pasi ata hyrën në objektet komunale në Veri pati protesta të dhunshme që çuan në lëndime të pjesëtarëve të KFOR’it, Policisë e gazetarëve.

Të ngjashme