Në opozitë thoshte se pesë i mjaftojnë, tash Kurti i ka 26 këshilltarë

Prishtinë | 09 Mar 2024 | 20:09 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri Albin Kurti nuk po e ndalë dorën në emërimin e këshilltarëve. Ish-ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, është këshilltari më i ri i tij. Me këtë emrin, numri i atyre që e këshillojnë shefin e ekzekutiv ka arritur në 26.

Duket se kryeministri Albin Kurti ka harruar zotimin e tij për numër të vogël të këshilltarëve. Sa ishte në opozitë, ai publikisht shprehej se është kundër angazhimit të numrit të madh të njerëzve që e këshillojnë një politikan. Madje, i përqeshte ish-kryeministrat për numrin e këshilltarëve.

Sipas tij, angazhimi i shumë njerëzve në këtë cilësi tregon paaftësinë e politikanit, shkruan Nacionale.

Pak para zgjedhjeve të vitit 2019, në emisionin “Pressing”, në T7, ai kishte thënë se atij nuk u duhen më shumë se pesë këshilltar.

Duke aluduar në numrin e madh të këshilltarëve të ish-kryeministrit Haradinaj, gjatë kësaj interviste, ai kishte thënë se 35 këshilltar janë shumë për një kryeministër.

“Ndoshta pesë këshilltarë mjaftojnë. 35 janë si të mos jetë asnjë, ose tregojnë një lloj paaftësi fundamentale të vetë kryeministrit”, kishte deklaruar Kurti.

Por, pushteti e ka bërë që të harroi zotimin. Me të marrë postin e kryeministrit, Kurti ka angazhuar dhjetëra këshilltarë rreth tij.

Dje është bërë e ditur se ish-ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, është emëruar këshilltar i jashtëm.

Në këtë mënyrë numri i këshilltarëve të kryeministrit ka arritur në 26, shkruan Nacionale.

Para disa muajve, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, duke i reaguar një media për këtë çështje, kishte treguar se numri i njerëzve që e këshillojnë Kurti është 25.

“Së pari, kryeministri Kurti nuk i ka të angazhuar 38 këshilltarë. Numri total i këshilltarëve, përfshirë ata të jashtëm, është 25. Prej tyre 8, duke qenë të jashtëm, nuk paguhen nga buxheti i Shtetit. Së dyti, kryeministri Kurti nuk ka numër më të lartë të këshilltarëve se ç’kishte ish-kryeministri Haradinaj. Numri total i këshilltarëve të emëruar, përfshirë ata të jashtëm, të ish-kryeministrit Haradinaj sipas të dhënave të muajit janar 2020 ishte 33”, kishte shkruar Kryeziu në profilin e tij në “Facebook”.

Më tej, ai kishte treguar edhe numrin e stafit të Zyrës së Kryeministrit.

“Numri 38 i raportuar mbrëmë përfaqëson numrin total të stafit të emëruar të Kryeministrit: 25 këshilltarë, 10 nëpunës, ku bëjnë pjesë zyrtaret ekzekutive dhe administrative, fotografi, zyrtarët e protokollit, asistentët—pra që nuk janë këshilltarë—, dhe të 3 të tjerë të emëruar të kryeministrit, ku përfshihen Kryesuesi i Komisionit Qeveritare për Personat e Zhdukur/Kryetari i delegacionit të Kosovës për bisedime për çështjen e Personave të Zhdukur, koordinatori i Sekretariatit Koordinues Ndërqeveritar Kosovë -Shqipëri, dhe koordinatorja për funksionalizimin e Fondit Sovran, të cilët kanë mandate të veçanta”, kishte shkruar Kryeziu.

Kush janë këshilltarët e Kurtit?

Kryeministri Kurti ka emëruar këshilltarë për fusha të ndryshme.

Këshilltari kryesore politik i shefit të ekzekutivit është Luan Dalip, i cili është edhe Shef i Stafit të Zyrës së Kryeministrit.

Këshilltarët tjerë politikë janë: Përparim Kryezu, Jeton Zulfaj, Shenaj Shala, Fëllanza Podrimja, Zojë Surroj, Riat Nuredini, Rozafa Kelmendi, Merdzan Osmani, Edison Beciri, Artan Asllani, Nurije Shala, Sihana Mehmeti.

Lulëzon Jagxhiu është këshilltar politik i kryeministrit për çështje të teknologjisë se informacionit, kurse Aziz Bici është këshilltar politik për çështjeve të kategorive të dala nga lufta.

Kryeministri Kurti ka angazhuar edhe këshilltar, të cilët merren me shqiptarët e vendeve të rajonit. Vitin e kaluar Kurti ka emëruar Bekim Qokun këshilltar të jashtëm politik për marrëdhëniet me Maqedoninë e Veriut.

Ardita Sinani është këshilltare politike e kryeministrit për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanovc, ndërsa Hysamedin Feraj është këshilltar politik i kryeministrit i ngarkuar me përgjegjësinë e anëtarit të sekretariatit koordinues ndërqeveritar.

Në listën e këshilltarëve figurojnë edhe gjashtë këshilltar të jashtëm: Erzen Vraniqi, Tienmu Ma, Tea Blakaj-Hoxha, Elizabeth Kathrine Gowing, Jusuf Ulaj dhe Petar Miletic.

Gjithashtu, për procesin e dialogut me Serbinë, si këshilltarë të Qeverisë janë të angazhuar edhe publicistët Veton Surroi dhe Blerim Shala.

Të ngjashme