Policia e Kosovës ka arrestuar një person në Pejë, i cili përmes rrjeteve sociale ka bërë thirrje për sulm terrorist.
I arrestuar është Rakip Abdyli nga Opoja, por me vendbanim në Pejë, njofton RTV Dukagjini.
Ndryshe, Policia ka shtuar kontrollet rreth kishave dhe manastireve, kurse, kryeministri Isa Mustafa dje ka mbledhur edhe Këshillin e Sigurisë së Kosovës.
Krejt kjo pasi shteti institucionet janë në alarm për shkak “të rrezikut nga sulme të mundshme terroriste” dhe për shkak të “krizave politike në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni”.
Edhe Ambasada amerikane iu ka sugjeruar qytetarëve të saj në Kosovë që të kenë kujdes të shtuar gjatë këtyre ditëve.
“Terroristët në rajon më parë kanë pasur caqe objektet e ndjeshme, përfshirë kishat dhe objektet e kulteve tjera, qendrat e këmbësorëve, arenat sportive, sallat e koncerteve dhe tubimet publike. Rishikoni planet tuaja të sigurisë: rrini të vetëdijshëm për vendndodhjen tuaj, përfshirë edhe ngjarjet lokale dhe shikoni televizionet për përditësim të lajmeve”, sugjeron Ambasada amerikane për qytetarët e saj në Kosovë”.