Në Pejë luhet derbi më i madh i hendbollit

Prishtinë | 21 Shk 2020 | 13:39 | Nga Ekonomia Online

Besa Famgas ka fituar gjashtë titujt e fundit të kampionit në Superligën e Kosovës në hendboll. Klubi pejan i ka fituar po ashtu të gjitha 15 ndeshjet e këtij edicioni.

Dominimin e plotë të Besës po synon ta ndalë Prishtina, transmeton Koha.net. Prishtina është mysafire e Besës të shtunën (nesër, 19:00) në derbin më të madh të hendbollit kosovar. Ndeshja i takon xhiros së 16-të të Superligës së Kosovës në hendboll dhe pritet të ketë ndikim të madh në garën për titull. Prishtina është e dyta në tabelë me 28 pikë, vetëm dy më pak se Besa Famgas.

Humbjen e vetme Prishtina e ka pësuar nga skuadra kampione. Madje në pjesën e parë, në vjeshtë, ishte në epërsi. Por në të dytën pejanët përmbysën rezultatin dhe vazhduan serinë e fitoreve.

Prishtina ka angazhuar Rron Ramadanin dhe Beni Sulën nga Kastrioti dhe vlerësohet se ka më tepër cilësi në përbërje. Ndërkohë Besa ka ruajtur skuadrën që kishte në vjeshtë.

“Jemi të gatshëm të presim Prishtinën të shtunën. Të gjithë lojtarët janë të gatshëm. Nuk kemi ndonjë lëndim. Do të mundohemi të tregojmë lojë të mirë, që i ka hije një derbi. Ne të shtunën e vazhdojmë traditën e fitoreve”, ka thënë trajneri i Besa Famgas, Arben Muqolli.

Në fakt Prishtina llogaritet skuadra e vetme aktualisht që mund të rivalizojë Besën. Besa shquhet për organizim dhe stabilitet financiar dhe nuk ka pasur telashe për të fituar titujt në vitet e fundit. Vjet e rivalizoi Kastrioti, që fitoi Kupën.

“Gjithmonë ndeshjet në mes të Prishtinës dhe Besës kanë qenë të forta dhe interesante. Asnjëherë nuk është ditur fituesi deri në minutën e fundit. Edhe këtë herë pritet të jetë lojë e fortë dhe përcaktuese për vendin e parë. Takohen dy ekipet më të mira në Superligë për momentin, i pari me të dytin. Besa është në përparësi të lehtë, por ne jemi përgatitur në të gjitha aspektet për këtë derbi. Në Pejë udhëtojmë vetëm për fitore. I dimë përparësitë dhe dobësitë e Besës. Do të përpiqemi t’i shfrytëzojmë maksimalisht”, ka thënë trajneri i Prishtinës, Taib Kabashi.

Në hije të derbit të madh luhen edhe katër ndeshjet tjera të xhiros së 16-të.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme