Një miqësore e lehtë, një ndeshje në shtëpi që duhet fituar dhe një ndeshje si mysafir që me shumë gjasë do të jetë vendimtare. Ky është rrugëtimi që shpresohet se do ta dërgojë Kosovën në kampionat evropian, në tentimin e parë.
Nëse plani ecën mirë, Kosova suksesin historik do ta festonte më 17 nëntor në “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ndaj Anglisë së madhe, shkruan sot Koha Ditore.
Të martën mbrëma është kuptuar që dallimi në cilësi mes Anglisë dhe Kosovës është i madh dhe të shpresohet në pikë për ndeshjen ndaj “tre luanëve” nuk vlerësohet shumë reale.
Kështu që Kosova do të tentojë që më herët të sigurojë kualifikimin për Evropian. Pas humbjes 5:3 nga Anglia, të martën në Southampton, Kosova ka dalë jashtë zonës që dërgon në “Euro 2020”. Ka rënë në vend të tretë në grupin A me 8 pikë.
Në vendin e dytë është ngritur Çekia me 9 pikë, pas fitores që e shënoi po të martën ndaj Malit të Zi me shifrat 3:0.
Ndërkohë, askush nuk e konteston që pozita e parë në grup do t’i takojë Anglisë, që ka fituar bindshëm katër ndeshjet e deritashme dhe prin me 12 pikë. Mali i Zi e Bullgaria i kanë nga 2 pikë dhe tashmë janë jashtë loje.
Kështu, gara në grupin A do të zhvillohet për pozitën e dytë në grup, me Çekinë dhe Kosovën si lojtarët e vetëm. Të dy përfaqësueset i kanë edhe nga tri ndeshje deri në fund të ciklit aktual eliminator.