Pas Ambasadës në Tiranë, morëm konfirmimin se në prill 2020 do të hapet edhe Ambasada e Japonisë në Prishtinë”, deklaron kryetari i grupit parlamentar të PS-ës, Taulant Balla pas takimeve të zhvilluara me zyrtarë të lartë në Japoni.
Kryeparlamentari Gramoz Ruçi dhe kreu i grupit parlamentar të PS, Balla zhvilluan një vizitë zyrtare në Japoni.
Gjatë takimit me Kryetarin e Parlamentit të Japonisë, Tadamori Oshima, u konstatua se marrëdhëniet midis dy vendeve janë aktualisht shumë të mira. Ka një interes të shtuar për forcimin e marrëdhënieve politike dhe intensifikimin e shkëmbimit të vizitave të niveleve të larta.
Balla thekson se Japonia e ka njohur shtetin e Kosovës, por besojmë në mbështetjen e saj për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.Gjithashtu, ai shprehet se Japonia është financuese e rëndësishme e disa projekteve të mëdha zhvillimi në Shqipëri, me rreth 380 milionë dollarë investime, në formë grantesh, bashkëpunim ekonomik, kredi të buta etj.
Në takimin me anëtarë të kabinetit qeveritar dhe deputetë të partisë së Kryeministrit Shinzo Abe, Balla shprehet se u diskutua mbi zgjerimin e fushave të bashkëpunimit. Mes dy vendeve janë nënshkruar 15 marrëveshje dhe janë në proces disa të tjera. Bashkëpunimi parlamentar përbën një dimension të rëndësishëm të marrëdhënieve dypalëshe dhe shërben si nxitje edhe për bashkëpunimin në aspekte të tjera”, thekson ai.Gjithashtu një takim tepër të rëndësishëm, vijon Balla, u zhvillua edhe në Agjencinë Japoneze për Bashkëpunimin Ndërkombëtar JICA me drejtuesit më të lartë të saj, transmeton ATSH.
“Duhet të përfundojmë projektin e madh të financuar nga JICA për kanalizimet në bashkinë Tiranë. Gjithashtu kërkuam mbështetjen e kësaj agjencie për dy projekte të reja sikurse janë Parku Kombëtar i Divjakës dhe Parku i Krastës në Elbasan”.
Projekti “Kodra e Jetës” në Kodrën e Krastës në Elbasan përfshin pyllëzimin e plotë të “mushkërisë” së Elbasanit dhe shndërrimin e saj në një park të mirëfilltë me fusha sportive, mjedise çlodhëse, kënde lojërash. Gjithashtu ky projekt që shpresojmë do të financohet nga Japonia, përfshin edhe rivitalizimin urban të zonës informale të zonës përreth Kodrës së Krastës, ndërtimin e rrugëve, kanalizimeve, si dhe sistemimin e pritave përgjatë Shkumbinit duke i shndërruar edhe ato pjesë të cirkuitit të Parkut.