Në Prishtinë dhe Pejë nis inspektimi për respektimin e masave parandaluese të mbrojtjes nga zjarri

Prishtinë | 20 Mar 2025 | 19:23 | Nga Ekonomia Online

Me urdhër të ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçlës, tash e dy ditë Agjencioni i Menaxhimit të Emergjencave me mbështetjen e Policisë së Kosovës ka filluar inspektimet në subjekte afariste ku ka frekuentim të lartë të qytetarëve, me qëllim të monitorimit të respektimit të masave parandaluese të mbrojtjes nga zjarri.

E përmes një postimi në Facebook, Sveçla thotë se inspektimet të cilat tashmë janë realizuar në Prishtinë dhe Pejë dhe do të zhvillohen në vazhdimësi në gjithë Republikën e Kosovës.

“Është konstatuar se në disa subjekte nuk është plotësuar standardi i sigurisë rreth masave për mbrojtje nga zjarri me ç’rast është dhënë afati për plotësimin e kërkesave ligjore për ambiente të sigurta për qytetarët”, shton tutje Sveçla.

Ministri shton se në rast të mosrespektimit të sigurimit të masave brenda afatit të dhënë kohor, do të ndërmerren masa më të ashpra, të menjëhershme dhe pa asnjë kompromis.

“Mbrojtja e jetës së qytetarëve është prioritet dhe nuk do lejojmë të rrezikohet në asnjë formë”.

Të ngjashme