Deputetët e Listës Serbe janë “mbyllur” në mjediset e Kuvendit të Kosovës. Ata kanë deklaruar se do të flenë sonte këtu dhe se po presin komisionerin për zgjerim të BE-së, Johannes Hahn, për ta njoftuar me “krizën humanitare” që sipas tyre ka shkaktuar masa e Qeverisë së Kosovës për produktet nga Serbia.
Ekipit të Ekonomia Online i është konfirmuar lajmi nga zyrtarë të Kuvendit, por asnjë medie nuk po lejohet të marrë pamje.
“Është një teatër nga ana e Listës Serbe”, tha ky zyrtar, në kushte anonimiteti.
Në një komunikatë të Listës Serbe, thuhet se ata kërkojnë mbledhje me komisionerin Hahn, në mënyrë që ta njoftojnë atë me krizën humanitare e cila “e kërcënon popullin serb për shkak të vendimit të Prishtinës që ta vendos taksën prej 100% ndaj produkteve serbe dhe me këtë praktikisht e bllokon shpërndarjen e ushqimit, barërave, shtypit dhe produkteve tjera të nevojshme”.
Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, pas mbledhjes së Shtabit të krizës në Mitrovicën Veriore, në një konferencë të jashtëzakonshme me gazetarë.
“Si përfaqësues politik legjitim, të popullit serb, ata (deputetët) dëshirojnë që komisionerit Hahn t’i tregojnë për veprimet anti-serbe të Prishtinës përmes të cilave nxitet kriza humanitare e drejtuar kundër serbëve në hapësirat e Kosovës”, ka thënë Rakiq, duke shtuar se deputetët po bëjnë luftë në mënyrë paqësore dhe demokratike, në mënyrë, sic ka thënë ai, që fëmijët e tyre të kenë të drejtën për jetesë, për mjekim dhe për ardhmëri.
Qeveria e Kosovës ka rritur taksën nga 10% në 100% ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës, si kundërpërgjigje ndaj fushatës agresive të Serbisë për Kosovën, veprim ky që ka nxitur reagime të shumta.
Katër kryetarët e komunave veriore, të banuara me shumicë serbe, ditë më parë dhanë dorëheqje, si dhe u organizuan protesta në Mitrovicën veriore në kundërshtim të taksës.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian u kanë kërkuar autoriteteve të Kosovës që të heqin tarifat ndaj importeve me origjinë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina dhe të punojnë me Serbinë për të shmangur provokimet dhe zbutur tensionet.
Hahn ka paralajmëruar se nesër do të qëndrojë për një vizitë zyrtare në Prishtinë ku do të diskutojë për taksën 100 për qind ndaj Serbisë. Ai do të takohet me presidentin e Kosovës Hashim Thaçi, kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli dhe kryeministrin Ramush Haradinaj.