Në Klinikën e Pulmologjisë në QKUK numri i pacientëve që po kërkojnë ndihmë mjekësore si pasojë e virusit Covid-19, është zvogëluar kështu ka thënë në një intervistë për Ekonomia Online pulmologu Besim Morina.
Tutje, ai tha se të gjithë mjekët në Pulmologji kanë qenë të infektuar si pasojë e Coronavirusit.
“Në Pulmologji momentalisht gjendja është pak më e qetë sesa javët e kaluara, ku numri i pacientëve që janë paraqitur në Pulmologji ka qenë pak më i vogël dhe si rrjedhojë edhe gjendja në përgjithësi ka qenë më e përballueshme”.
“Numri i pacientëve të shtrirë janë 82 pacientë dhe nga këta shumica janë pacientë që dyshohen se janë me Covid-19, e të cilët dyshohet se janë të infektuar për shkak të gjendjes së tyre të rëndë shëndetësore. Në luftën kundër Covidit gjithmonë kemi mungesa”.
Morina shtoi se ka mungesë të disa llojeve të barnave, të cilat pacientët detyrohet t’i sigurojnë vet.
“Në përgjithësi kemi mjaftueshëm barna momentalisht për pacientë të shtrirë disa nga barnat të cilat mungojnë normalisht i marrin nga jashtë, por shumica që jepen në klinika gjinden në barnatore të QKUK-së. Ekzistojnë vetëm disa barna shtesë që pacientët i marrin nga jashtë”.
“Gjatë kohës së pandemisë të gjithë mjekët e Pulmologjisë kanë qenë të infektuar në një kohë të caktuar. Mirëpo momentalisht të gjithë mjekët janë të shëruar”, tha Morina, për EO.