Të shoqëruar me automjetet e Forcës së Sigurisë së Kosovës në karantinën e vendosur në Qendrën e Studentëve janë vendosur mbi 100 qytetarë të cilët janë kthyer nga Gjermania, shkruan Ekonomia Online.
Rreth orës 16:00, tre autobusë të FSK-së, kanë sjellë në karantinë qytetarët të cilët do të izolohen aty në mënyrë që të parandalohet përhapja e pandemisë së Coronavirusit.
Pas ardhjes së kontingjentit me bashkatdhetarë nga Gjermani të cilët u vendosën në Karantinë, parA medieve ka folur zëvendësministri i Shëndetësisë, Izet Sadiku.
“Dje ka filluar zhvendosja e bashkatdhetarëve tanë që duan të kthehen në Kosovë. Mbrëmë janë vendosur 51 qytetarë ndërsa sot ka ardhur një kontingjent me qytetarë, që janë gjithsej 91 dhe janë vendosur në Qendrën e Studentëve. Ne jemi duke punuar së bashku me ministritë tjera që t’i sigurojmë të gjitha pajisjet e nevojshme higjienike për të ju krijuar, kushte elementare atyre që do të vendosën në karantinë. Kemi arritur t’i sigurojmë pako higjienike dhe ushqime për secilin të vendosur këtu. Kërkojmë dhe mirëkuptimin e personave të vendosur aty gjendjen në të cilën gjendemi”, ka thënë Sadiku.
Kurse ministria e Infrastrukturës ka bërë me dije se për ditën e premte planifikohet kthimi i 180 qytetarëve.
Ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku, të enjet foli për mbylljen e linja ajrore dhe tokësore. Ai tha se kanë nisur kthimin e qytetarëve që jetojnë jashtë Kosovës.
“Kosova tashmë ka mbyllur fluturimet dhe për shkak të mbylljes së kufjeve dhe atyre tokësore një pjese e qytetareve kanë mbetur jashtë kufijve. E kemi për obligim të kujdesemi për ta. Kemi nisur organizmin për kthimin e qytetarëve”.
“Kemi bërë thirrje që ata qe s’kanë urgjencë dhe mund të qëndrojnë jashtë të mos e marrin rrugën e kthimit. Ambasadat tonë vazhdojnë të ndihmojnë në zgjatjen e qëndrimit”, tha ai.
“Secili tjetër me urgjencë kthimi do të marrë ndihmën e shtetit të Kosovës. Nëpërmjet Ministrisë së Jashtme janë udhëzuar ambasadat tona për të bërë evidentimin e kosovarëve që ndodhen jashtë. Janë 834 qytetarë që duhet të kthehen. Jemi duke i trajtuar këto raste”. Ai tregoi se nesër presin të kthehen 180 qytetarë nga Gjermania. Rastet e para me Coronavirus në Kosovë janë konfirmuar më 13 mars.