Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) ka njoftuar mbrëmjen e së martës se në Qendrën Klinike Universitare (QKUK) dhe në spitalet e përgjithshme rajonale po trajtohen 541 pacientë, prej të cilëve 291 janë raste të konfirmuara me COVID-19 ndërsa 250 ende janë të pritje të konfirmimit.
ShSKUK ka bërë të ditur se në trajtim me respiratorë janë 16 raste ndërsa me oksigjenoterapi 295 pacientë.
Ndërkohë, gjatë ditës së mërkurë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë kanë vdekur edhe 5 pacientë nga sëmundja COVID-19, që e shkakton coronavirusi, transmeton Telegrafi.
Numri i përgjithshëm i viktimave ka arritur në 144. Një ditë më herët ishte raportuar për 139 vdekje.
Në njoftimin e IKSHPK-së bëhet e ditur se nga 415 mostra të testuara, 168 kanë dalë pozitive në coronavirus. Kjo shifër e rrit numrin e përgjithshëm të të infektuarve në 6.045.
Gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar edhe 157 pacientë duke e çuar numrin e përgjithshëm të të shëruarve në 3.226.
Raste aktive me koronavirusin e ri aktualisht janë 2.675.
Në Kosovë rastet e para janë shënuar në mesin e muajit mars.