Me “hat-trick” që realizoi Cristiano Ronaldo ndaj Alavés, “Mendizorroza” bëhet stadiumi i 29-të i Spanjës, në të cilën portugezi ka shënuar të paktën një gol me fanellën e Real Madridit.
Numri total i stadiumeve në Evropë, ku ka luajtur CR7, që prej transferimit nga “Old Trafford”, arrin në 49.
Nga të gjitha stadiumet që ka vizituar në Spanjë me Real Madrid, ai nuk ka bërë gol vetëm në tri stadiume: Gran Canaria (Las Palmas), Archangel (Córdoba) dhe Nueva Condomina (Murcia).
Ndryshe është “Sanchez Pizjuan”. Aty, “pushtuesi i bardhë” ka shënuar gjithsej 11 gola, duke e bërë këtë stadium të preferuarin e portugezit, i ndjekur nga “Camp Nou”, ku ai ka shënuar 10 herë.
Në kontinentin e vjetër, numrat e portugezit janë të mahnitshëm, edhe pse jo aq shumë, sa në Spanjë. Janë 20 fusha (stadium), në të cilat ylli i Real Madrid ka ndëshkuar me golat e tij.
Të mërkurën, në Ligën e Kampionëve, Ronaldo ka përsëri një mundësi për ta zgjeruar në 50 numrin e stadiumeve ku shënon gol, nëse e prek rrjetën e skuadrës polake të Legia Varshavë.