Në seancë të mbyllur dëgjohet dëshmia e dëshmitarit të 60-të në rastin Thaçi dhe të tjerët

Prishtinë | 01 Maj 2024 | 11:05 | Nga Ekonomia Online

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë është duke u dëgjuar dëshmia e dëshmitarit të thirrur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar me kodin 04731 në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Dëshmia e këtij dëshmitari është duke u dëgjuar në seancë tërësisht të mbyllur për publikun, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Përpara kësaj, kryetari i trupit gjykues njoftoi për procesverbal se të gjithë të akuzuarit janë prezent në sallën e gjyqit përveç Jakup Krasniqit i cili është i pranishëm përmes video-lidhjes.

Kurse, me arsyetimin se do të diskutohet një çështje, në fillim seanca kaloi në sesion privat e më pas për t’u mbyllur tërësisht.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit. 

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi

Të ngjashme