Në ShBA vjen në jetë foshnja e parë me antitrupa kundër Covid-19

Prishtinë | 17 Mar 2021 | 13:01 | Nga Ekonomia Online

Një grua në Florida të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që kishte marrë një dozë të vaksinës kundër koronavirusit në kohën kur ishte shtatzënë, ka sjellë në jetë foshnjën e parë me antitrupa kundër COVID-19, ka bërë të ditur ekipi mjekësor.

Doktorët Paul Gilbert dhe Chad Rudnick kanë njoftuar se gruaja kishte marrë vaksinën e parë të “Modernas” në muajin janar, në javën e 36-të të shtatzënisë.

Gruaja solli në jetë një vajzë tre javë më vonë. Ajo ishte në gjendje të mirë shëndetësore, ndërsa pas analizave të para u vu re se ajo kishte antitrupa.

“Ekziston mundësia për mbrojtje dhe reduktim të rrezikut të infektimit nga COVID-19 nëpërmjet vaksinimit të nënave”, thuhet në njoftimin e mjekëve të publikuar në një gazetë shkencore, shkruan “The Guardian”.

“Për dijeninë tuaj, kjo është hera e parë në botë që raportohet për një foshnje të lindur me antitrupa pas një vaksinimi”, ka thënë Gilbert. “Kemi testuar kërthizën e foshnjës për të parë nëse antitrupat e nënës kanë kaluar te foshnja, gjë që kemi parë se ka ndodhur me shtatzënitë”.

Në njoftim mjekët kanë kërkuar më shumë hulumtime për të përcaktuar nëse foshnjat mbrohen nga antitrupat e nënave të tyre.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme