Në Shqipëri shënohet Dita e Dëshmorëve

Prishtinë | 05 Maj 2017 | 17:27 | Nga

Me rastin e Ditës së Dëshmorëve të Atdheut, në varrezat e dëshmorëve në Tiranë është organizuar një ceremoni ku merrnin pjesë drejtuesit më të lartë të shtetit shqiptar, si presidenti Bujar Nishani, kryeministri Edi Rama, kreu i Kuvendit, Ilir Meta, ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, etj, raporton Anadolu Agency (AA).

Zyrtarët, por edhe qytetarët si dhe veteranët e luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare kanë vendosur kurora me lule në Monumentin “Nëna Shqipëri”.

Pas ceremonisë qendrore të mbajtur në varrezat e dëshmorëve, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, organizuan një takim me veteranët.

Rama gjatë këtij takimi u shpreh se “Besoj se sot, fjalët e shumta janë vërtetë fukarallëk dhe madhështia e ditës që na ka mbledhur është me një peshë shumë të rëndësishme, por më vjen shumë mirë që sot, përtej të gjithë aspekteve që kanë të bëjnë me ceremonialin e nderimit të luftës, e nderimit të ditës së çlirimit, e nderimit të ditës së dëshmorëve, ne kemi mundur të bëjmë edhe disa gjëra konkrete lidhur me trajtimin e veteranëve dhe në tërësi me trajtimin e pensionistëve.”

Kujtojmë se Dita e Dëshmorëve në Shqipëri shënohet çdo vit më 5 maj.

Në të gjithë vendin organizohen aktivitete të ndryshme, nga institucionet arsimore, të pushtetit vendor, organizatat e veteranëve, etj.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme