Në Shtetet e Bashkuara miratohet testimi në njerëz i hidroksiklorokinës

Prishtinë | 20 Pri 2020 | 14:59 | Nga Ekonomia Online

Një ilaç që është përdorur për trajtimin e malaries, i konsideruar nga presidenti amerikan si shërues i koronavirusit, e ka marrë dritën e gjelbër për t’u testuar në njerëz.

Kompania zvicerane për prodhimin e ilaçeve, “Novartis”, ka arritur marrëveshje me rregullatorët amerikanë për ta testuar substancën hidroksiklorokinë te 440 pacientë të shtrirë në spital, shkruan “Daily Mail”.

Testimi do të fillojë breda disa javëve në mbi 10 spitale të ndryshme dhe rezultatet do të raportohen sa më shpejt që është e mundur, njoftoi kjo kompani.

Përdorimi i hidroksiklorokinës është miratuar për përdorim emergjent nga Administrata e Ushqimit dhe e Ilaçeve në Shtetet e Bashkuara, ndonëse ende nuk ka dëshmi shkencore se ajo i ndihmon pacientët e infektuar.

“Ne e kuptojmë rëndësinë e përgjigjes ndaj pyetjes shkencore nëse hidroksiklorokina sjell përfitime kundër sëmundjes Covid-19. Ne u mobilizuam shpejt për ta adresuar këtë çështje përmes një studimi”, tha John Tsai nga kompania “Novartis”.

Efektet e kësaj substance tashmë po testohen edhe nga Universiteti i Uashintonit, Universiteti i Minesotës dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit i Shteteve të Bashkuara.

Sidoqoftë, shkencëtarët në Kinë këtë javë kanë deklauar se hidroksiklorokina nuk e ka shpejtuar shërimin e pacientëve gjatë një testimi në këtë shtet.

Të ngjashme