Në kryeqytetin e Bullgarisë në Sofje do të mbahet takimi i liderëve të Ballkanit Perëndimor, në të cilin do të marrë pjesë edhe lidershipi i BE-së.
Në këtë takim do të marrin pjesë, kryetari i Komisionit Evropian Jean-Calude Juncker, shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini dhe komisioneri evropian për politikën e fqinjësisë së mirë dhe negocimit, Johannes Hahn.
Edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka udhëtuar dje për në Sofje, ku me ftesë të kryeministrit bullgar, Boyko Borisov, do të marrë pjesë në takimin e liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësuesit më të lartë të BE-së.
“Thaçi do të marrë pjesë në takimin e përbashkët me liderët e Ballkanit Perëndimor, kryeministrin bullgar, Boyko Borisov, presidentin e Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Federica Mogherinin, si dhe komisionerin Johannes Hahn, njofton zyra për informim e Presidencës.
Presidenti, po ashtu do të zhvillojë takime bilaterale me krerë shtetërorë të Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësues të lartë të BE-së.
Në këto takime do të diskutohet lidhur me perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, pas publikimit të Strategjisë së BE-së.