Është mbajtur në Tiranë tryeza rajonale e ekspertëve për sfidat që krijon fenomeni i terrorizmit. Në tryezë, ku pjesëmarrëse ishte edhe Kosova, u diskutua për sfidat që paraqet terrorizmi si fenomen dhe kthimi i luftëtarëve të huaj dhe familjarëve të tyre në vendet e origjinës. Tema kryesore që u trajtua në këtë forum ishte “Zhvillimi dhe implementimi i strategjive për procedim, rehabilitim dhe riintegrim lidhur me rikthimin e luftëtarëve të huaj terroristë dhe anëtarëve të familjeve të tyre”, shkruan sot Koha Ditore.
Në këtë aktivitet, veç nikoqirit Shqipërisë dhe Kosovës, kanë marrë pjesë edhe Mali i Zi dhe Bosnjë-Hercegovina. Ndërkohë që pjesëmarrës në tryezë kanë qenë edhe përfaqësues të NATO-s, SHBA-së dhe BE-së.
Në një panel të veçantë ka referuar përfaqësuesi i Kosovës, prokurori special Sylë Hoxha, ndërkohë që pjesëmarrësit kanë vlerësuar punën e organeve ligjzbatuese në Kosovë, në kthimin, rehabilitimin dhe riintegrimin e luftëtarëve terroristë dhe familjarëve të tyre.
Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Sander Lleshaj, që ka marrë pjesë në këtë tryezë rajonale, u shpreh se Shqipëria ka qenë aktive në përpjekjet rajonale dhe globale për të parandaluar dhe luftuar kërcënimet terroriste. Lleshaj nënvizoi aktet ligjore të miratuara dhe strukturat e posaçme që ka ngritur Shqipëria, për t’i bërë ballë këtij fenomeni.