Në Kolegjin UBT, të enjten, ka filluar seria e debateve për lidership, ndërmarrësi dhe inovacion.
Debatin e parë e ka hapur vetë rektori i UBT-së, prof. dr Edmond Hajrizi, sipas të cilit, UBT është e angazhuar të mbajë kontakte të vazhdueshme me industrinë dhe tregun e punës.
“Interaktiviteti mes industrisë dhe universiteteve është shumë i rëndësishëm, i nevojshëm dhe i pashmangshëm, sepse UBT përgatit kuadro karshi kërkesave të tregut”, theksoi Hajrizi.
Duke i inkurajuar studentët e MBE-së për pjesëmarrje aktive në forume, debate e diskutime të organizuara, rektori shtoi se kërkesat dhe nevojat e industrisë lidhen me kualitetin dhe zhvillimin e personalitetit të studentëve.
“Studentët janë potenciali, që e ka në dorë të ardhmen tonë dhe bashkë me të, edhe ekonominë e vendit”, vlerësoi Hajrizi.
Drejtori ekzekutiv i Këshillit të Investitorëve Evropianë, njëherësh edhe ligjërues në UBT, Shpend Baloja tha se qëllimi i UBT-së është që përmes forumeve dhe debateve, studentët të marrin njohuri në lidhje me mundësinë e krijimit të bizneseve personale, pas diplomimit.
“Studentët tanë kanë aftësi dhe potencial që të menaxhojnë biznese dhe të japin kontribut në industri”, përfundoi Balija.
Kryeshefi ekzekutiv i kompanisë “Sigal Uniqa Group Austria”, Mal Berisha, njeherësh bartës i mëhershëm i shumë detyrave diplomatike, përfshirë edhe detyrën e ambasadorit në Mbretërinë e Bashkuar, tha se UBT është produkt i Kosovës, mirëpo sipas tij, pa të shteti do të ishte i mangët.
“Me shumëllojshmërinë e fakulteteve, me bagazhin e madh të sukseseve, me suksesin e alumnit dhe të studentëve aktualë, UBT ka treguar se është një pasuri e pamohueshme e këtij vendi”, theksoi Berisha.
Në paraqitjen e tij, ndër tjerash ai foli për rolin e diplomacisë ekonomike, ndërlidhjen e saj në fushën e biznesit, për resurset dhe mundësitë që ofrojnë Kosova e Shqipëria për investitorët e huaj, për formën e krijimit dhe menaxhimit të bizneseve, për mënyrat e plotësimit të nevojave në tregun e punës etj.
Duke folur për karrierën dhe sfidat nëpër të cilat ka kaluar gjatë jetës së tij, ai i inkurajoi studentët se me punë dhe vullnet mund të arrihet gjithçka në jetë.
“Duhet të jeni ju ata që vendosni për të ardhmen tuaj dhe të qenit të suksesshëm, me përpjekje dhe punë të jashtëzakonshme”, përfundoi Berisha.
Pos suksesit në biznes, pra, Mal Berisha ka shërbyer edhe si Ambasador i Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar, si Konsull i Përgjithshëm i Shqipërisë në Stamboll, si drejtues i çështjeve rajonale në MPJ-në e SHBA-ve, si dhe ka udhëhequr edhe misione të tjera diplomatike.
Debate të kësaj natyre do të vazhdojnë çdo të enjte dhe do të jenë në interes të studentëve.