Rreth 40 prona të AKP-së, të shumtën asete të ish-ndërmarrjes shoqërore tregtare “Lux”, mbahen të uzurpuara nga të ashtuquajturit “uzurpatorë klasikë”, të cilët nuk e njohin AKP-në si institucion juridik.
AKP-ja ka provuar dy herë t’i lirojë ato nga uzurpatorët, por nuk kishte lejuar kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq.
Aksioni i AKP-së për lirimin e pronave të uzurpuara nuk ka mundur të realizohet në veri të Mitrovicës ndonëse AKP-ja kishte provuar dy herë, këtë dhe vit dhe në marsin e vitit 2015.
Kryetari i Bordit të AKP-së, Petrit Gashi, ka thënë se në veri të Kosovës, respektivisht në veri të Mitrovicës, janë uzurpuar 40 prona të AKP-së, të shumtën objekte dhe lokale të ish-ndërmarrjes shoqërore tregtare “Lux”, të cilat me gjithë përpjekjet nuk kanë mundur të privatizohen të gjitha.
Serbët e veriut të Mitrovicës në disa valë të privatizimit nuk kanë lejuar shitjen, duke mos e njohur autoritetin e AKM-së e pastaj edhe të AKP-së, por deri në marsin e vitit 2015 në veri janë privatizuar 75 objekte dhe lokale të ndryshme, në mesin e të cilave edhe kafeneja “Dolce Vita”, e cila gjendet në pjesën veriore të qytetit, e njohur si vendi i qëndrimit të pjesëtarëve të grupit të ashtuquajtur “Rojet e urës”, nga e cila ata dilnin në rrugë dhe keqtrajtonin shqiptarët të cilët kalonin urën.
Shumicën e tyre i kanë blerë shqiptarët, të cilët ndonëse të bindur se do të kenë vështirësi për t’i shfrytëzuar, megjithatë kanë marrë guximin t’i blejnë nga AKP-ja.