Komisioni për Zhvillim Ekonomik ka shqyrtuar raportin vjetor të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave; si dhe diskuton lidhur me “Programin për zvogëlimin efektiv të barrës administrative ne legjislacion dhe ekonomi”, raporton Ekonomia Online.
Ani pse Autoriteti Rregullativ i Hekurudhave iu kishte bërë thirrje institucioneve të vendit që të ndalohet hyrja e trenave që nuk kanë licencë, Shkumbin Hyseni, anëtar i Bordit tha se në vitin 2018 në Kosovë kanë hyrë dy trena pa licencë.
Arsyeja e mosndalesës Hyseni thotë që duhet të kërkohet nga ministria përkatëse.
“Me 14 janar të 2017 ne kemi lëshuar një vendim që i obligon institucionet e Kosovës që të ndalet çdo hyrje e trenit e cila nuk ka licencë nga autoriteti rregullativ, në vitin 2017 ka pasur vetëm një hyrje. Në 2018 kemi pasur hyrje të 2 trenave pa licencë por ata nuk janë ndalë të hyjnë, arsyen nuk e dimë pse, këtë duhet ta dijë Ministria përkatëse”.
Hyseni tha se viti 2018 ka shënuar një rritje të numrit të aksidenteve në transportin hekurudhor ku gjithsej ka pas 19 aksidente, 3 prej tyre me fatalitet, raporton EO.
“Kemi 19 aksidente hekurudhore në vitin 2018. Nëse flasim për numrin e trenave që qarkullojnë brenda ditës deri në vitin 2018 kanë qenë 10 trena që qarkullojnë brenda ditës 3 aksidente me fatalitet në viti 2018. 263 vendkalime legale deri në vitin 2018”.
Në viti 2018, Hyseni thotë se janë shënuar 23 vendkalime ilegale, derisa shton se në këto vendkalime duhen vendosur barriera apo laura fizike.
“Ne kemi problem me vendkalimet ilegale pasi që në vazhdimësi ndërron situata. Vendkalimet legale janë 23 vendkalime që kanë barriera, ndërsa disa të tjera janë të dëmtuara. Duhet që në çdo vendkalim gati të ketë edhe laura ose barriera fizike”.