Njësit e Doganës së Kosovës gjatë kontrollimeve në pikën kufitare me Shqipërinë, më saktësisht në Vërmicë, kanë arritur të parandalojnë futjen e lëndës narkotike si dhe një sasie të municionit, respektivisht fishekë.
Rreth orës 20:40 ne PKK Vërmicë është paraqitur automjeti me targa të Shqipërisë me dy bashkudhëtarë. Pasi është pyetur nga ana e oficerit doganor nëse kishte diçka për të deklaruar në bagazh, pala ka deklaruar se nuk ka asgjë në bagazh. Por, gjatë kontrollit, nën ulësen e pasme, është hasur në paketime të dyshimta të substancës narkotike, të llojit marihuanë.
“Pastaj në automjet është kryer kontroll i detajuar në vijën e dytë, së bashku me njësitin anti-kontrabandë. Gjatë kontrollit është hasur në një hapësire të modifikuar në të cilën janë gjetur edhe pako të dyshimta me substance narkotike dhe fishekë”, njofton Dogana.
Sasia e substancës narkotike e llojit marihuanë është 2.7 kilogramë. Kurse janë gjetur dhe 6 857 copë fishekë; 5 417 fishekë te kalibrit 7.62 mm për armë të gjata dhe 1440 copë për revole.