Në vitin 2022 katër ministri të Kurtit paguan afër 400 mijë euro për “Mbrojtjen Civile”

Prishtinë | 01 Kor 2023 | 09:35 | Nga Ekonomia Online

Qeveria e Kosovës e shpalli strukturën ilegale “Mbrojtja civile” organizate terroriste. Por, në vitin 2022, së paku katër ministri të Qeverisë së Kosovës kanë derdhur mijëra euro në xhepat e pjesëtarëve të kësaj organizate e cila po akuzohet për organizim të sulmeve ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, policisë së Kosovës dhe gazetarëve në veri të Kosovës, por edhe për planifikim të sulmeve terroriste ndaj institucioneve të Kosovës.

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka bërë të ditur se nga janari deri në gusht të 2022, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka paguar mbi 70 mijë euro në emër të pagave për 20 pjesëtarë të strukturës ilegale “Mbrojtja civile”, shkruan Paparaci.com.

Në gusht të vitit 2022, MKRS kishte marrë vendim për pezullimin e pagave të këtyre punonjësve deri në gjetjen e një alternative.

“Ministria kishte vazhduar të paguajë zyrtarët bazuar në vendimin e Qeverisë nr. 06/39 të dt. 22.07.2015, për 20 pjesëtarë të strukturës ilegale të ashtuquajtur “Mbrojtja civile” përderisa nuk kishte dëshmi të vijueshmërisë në punë. Ministra kishte marrë vendim me datë 19.08.2022 për të pezulluar pagat e këtyre punonjësve deri në gjetjen e një alternative. Vlera e pagesave të realizuara për këta punonjës deri në marrjen e vendimit ishte 76,791€.”, thuhet në raportin e ZKA-së për vitin 2022.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë në anën tjetër kishte paguar gati dyfishin e MKRS-së për pjesëtarët e “Mbrojtja Civile”, tashmë e shpallur organizatë terroriste.

Shpenzimet për vitin 2023 nga MINT për këta zyrtarë të cilët as nuk kanë shkuar në punë kanë qenë hiç më pak se 127,298 euro.

“Me vendimin nr. 06/39 te datës 22.07.2015, Qeveria e Kosovës ka aprovuar konkluzionet e dakorduar të Marrëveshjes se Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë për integrimin e personelit nga ish e ashtuquajtura “Mbrojta Civile”. Përmes këtij vendimi, MTI kishte angazhuar 25 punonjës të komunitetit serb me qëllim të integrimit të tyre në sistemin e Republikës së Kosovës. Këta punonjës nuk kishin punuar asnjëherë për MTI që nga viti 2016 kur edhe janë nënshkruar aktemërimet a tyre. Rrjedhimisht, sipas konfirmimeve nga zyrtarët relevant, për të njejtit nuk kishte dëshmi të vijueshmërisë në punë. Shpenzimi për vitin 2022 për pagat e të punësuarve për këtë kategori ishte 127,298€”, thotë raporti i ZKA-së.

Para për pjesëtarët e “Mbrojtjes Civile” kishte paguar edhe Ministria e Punëve të Brendshme. Sipas konfirmimeve të evidentuara në raportin e ZKA-së, për këta pjesëtarë të cilët s’kishin dalë kurrë në vendin e punës ishin shpenzuar hiç më pak se 101,474 mijë euro.

“Bazuar në vendimin e Qeverisë Nr.06/39 i dt. 22.07.2015, ish MAP, ishte e obliguar t’i sistemoj 20 punonjës të komunitetit serb, pjesëtarë të strukturës ilegale të ashtuquajtur ‘’Mbrojtja civile’’. Sipas konfirmimeve nga zyrtarët e ministrisë këta të punësuar nuk kanë hapësira të përcaktuara të punës dhe nuk zhvillojnë asnjë aktivitet në ministri. Buxheti i shpenzuar për pagat e tyre për vitin 2022 ishte 101,474€.”, thotë raporti i ZKA-së.

Në raportin e ZKA-së gjithashtu thuhet se pavarësisht se kjo dukuri vazhdon të raportohet ndër vite, ministria ende s’ia ka dalë të ndërmarrë masa konkrete në sistemimin, angazhimin dhe monitorimin e kësaj kategorie të të punësuarve.

Edhe Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë kishte paguar 68,227 euro për 32 pjesëtarë të strukturës ilegale “Mbrojtja Civile”, madje për zyrtarë të cilët nuk kanë as hapësira të përcaktuara të punës dhe së paku për 6 mujorin e parë të vitit 2022 s’kishin zhvilluar asnjë aktivitet në ministri.

“Në MASHTI, përmes akt-emërimeve janë punësuar 32 pjesëtarë të strukturës ilegale të ashtuquajtur ‘’Mbrojtja civile’’ të cilët marrin paga të rregullta mujore. Sipas konfirmimeve nga zyrtarët e Ministrisë këta të punësuar nuk kanë pasur hapësira të përcaktuara të punës për periudhën janar-qershor 2022 dhe nuk kanë zhvilluar asnjë aktivitet në Ministri. Buxheti i shpenzuar për pagat e tyre për periudhën janar-qershor 2022 ishte 68,227€. Në raportet e auditimit të viteve paraprake kjo çështje ishte trajtuar në vazhdimësi duke dhënë rekomandime për adresimin e kësaj çështje. Në vitin 2022 MASHTI ka ndërmarrë veprimet e kërkuara dhe çështja është adresuar.”, thotë raporti. 

Vlen të theksohet se këto katër ministri të qeverisë Kurti së bashku në vitin 2022 kanë shpenzuar hiç më pak se 373,790 euro në pagesa të pjesëtarëve të “Mbrojtjes Civile”, tashmë organizatë terroriste në Kosovë.

Në bazë të marrëveshjes së Brukseli në 2015, pjesëtarë të komunitetit serb të strukturës ilegale “Mbrojtja Civile” ishin akomoduar në departament të ndryshme të MKRS-së me qëllim të integrimit të tyre në institucionet e  Republikës së Kosovës.

Të ngjashme