Mufera Srbica – Shinik, deputet e partisë KDTP, pjesë e Grupit Parlamentar 6+, e cila është edhe nënkryetare e Kuvendit të Kosovës, ka kërkuar shkarkimin e menjëhershëm të Zëvendësministrit të Jashtëm, Gjergj Dedaj, sepse në të kundërtën, ajo ka thënë se deputetët e 6+ do të dalin nga koalicioni qeverisës.
Në një letër që ka siguruar KTV, Srbica-Shinik ka thënë se Dedaj, në vend se të suspendohet nga pozita, ai është shpërblyer me postin e Ambasadorit të Kosovës në Maqedoni.
Ky reagim ka ardhur pasi Dedaj, ditë më parë, përmes një postimi në Facebook, Serbinë dhe Turqinë i quajti “shtriga të Ballkanit”.
“Turqia dhe Serbia, synojnë rikthimin e tyre strategjik në Kosovë, secila përmes emisarëve të tyre, të mbetur nën rrënjët e sundimit shekullor dhe mbetjet e këtyre sundimtarëve të ndyrë, të cilët duhet të çrrënjosen nga Kosova dhe trojet e Gjergj Kastriotit”, shkroi Dedaj në Facebook, raporton Koha.net.
Deputetja Srbica-Shinik thotë se Zv.Ministri i Punëve të Jashtme, Gjergj Dedaj, ka bërë një postim “aspak etik dhe ka shqetësuar pafundësisht të gjithë komunitetin turk dhe vëllezërit myslimanë”.
“Është në bërë rutinore deklarata të tilla nga zv. Ministri i lartcekur. Pikërisht për këtë arsye ne deputetët e GP6+ të Kuvendit të Kosovës kemi kërkuar nga kryeministri i Republikës së Kosovës z. Ramush Haradinaj që zv. Minstrin Gjergj Dedaj ta suspendojë-largojë nga detyra. Nëse ndodh e kundërta nga kërkesa jonë, atëherë kemi bërë të ditur se duhet të rishikojmë-rikorigjojmë raportet tona të koalicionit, duke pasur parasysh gjendjen e sotme të Qeverisë së Kosovës. Por kryeministri Ramush Haradinaj, në vend se të suspendonte-largonte nga puna zv.ministrin e lartcekur, ka përdor metodën e abstenimit nga situata dhe e ka bërë zgjidhjen më të lehtë për vete dhe zv/ministrin e deritanishëm e ka emëruar si Ambasador në Republikën e Maqedonisë. Pra në vend të ndëshkimit e ka shpërblyer”, thotë deputetja e 6+.
“Me keqardhje po themi se nga tani e tutje kushdo që dëshiron të emërohet si Ambasador në ndonjë shtet atëherë nuk ka nevojë të angazhohet profesionalisht por mjafton të fyejë, të nxis urrejtje dhe përçarje midis komunitetit turk dhe Republikës së Turqisë (një shteti i cili asnjëherë në asnjë rrethanë nuk e ka kursyer ndihmën karshi Kosovës)”, deklaron më tej kjo deputete.
“Aq më tepër, sa për sqarim, deklarimet e tilla të pamatshme përbëjnë një vepër penale e cila është e sanksionuar në Kodin Penal të Republikës së Kosovës Neni 147 [Nxitja e urrejtjes, e përçarjes ose e mosdurimit kombëtar, racor,fetar ose etnik]. Andaj, për mos zvogëluar numrin e deputetëve (47) në koalicionin e Qeverisë në Kuvend, kërkojmë nga Kryeministri që deri në fund të javës të plotësojë kërkesën tonë”, ka theksuar deputetja e KDTP-së, pjesë e GP 6+.
Burime të sigurta i kanë thënë “Kohës Ditore” se Dedaj tashmë është propozuar për ambasadorin e ardhshëm të Kosovës në Maqedoni.