Ministrja e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci, Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, dhe drejtori i KRU “Hidroregjioni Jugor”, Bekim Gashi, nënshkruan marrëveshjen tripalëshe për bashkëfinancimin e projektit kapital për dislokimin e rezervuarit të ujit nga hapësira e Kalasë së Prizrenit.
Ky projekt i rëndësishëm synon mbrojtjen dhe ruajtjen afatgjate të një prej monumenteve më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore të Kosovës. Rezervuari ekzistues, i vendosur brenda hapësirës së Kalasë që nga viti 1939, ka shkaktuar ndër vite rrjedhje të vazhdueshme të ujit, duke dëmtuar strukturat e monumentit dhe duke rrezikuar sigurinë e vizitorëve.
Sipas marrëveshjes, projekti do të realizohet përmes bashkëfinancimit nga Ministria e Ekonomisë, Ministria e Kulturës dhe Turizmit dhe KRU “Hidroregjioni Jugor”, me një vlerë të përgjithshme prej 450 mijë euro.
Përmes këtij intervenimi të domosdoshëm, institucionet po ndërmarrin një hap të rëndësishëm në mbrojtjen, konservimin dhe valorizimin e Kalasë së Prizrenit, si një nga asetet më të çmuara historike, kulturore dhe turistike të vendit.
