Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka nënshkruar marrëveshje me Zyrën e BE-së në Kosovë dhe Ministrinë e Jashtme të Kosovës për vëzhgimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, raporton Ekonomia Online.
Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, theksoi se nënshkrimi i kësaj marrëveshje shpreh gatishmërinë e Kosovës për avancim të procesit zgjedhor.
Daka njoftoi se BE-ja në këto zgjedhje i ka propozuar KQZ-së disa rekomandime serioze të cilat duhet të implementohen.
“Padyshim se vëzhgimi i zgjedhjeve është një prej proceseve thelbësore. Nënshkrimi i kësaj marrëveshje shpreh gatishmërinë e Kosovës për avancim të procesit zgjedhor. Misioni i BE-së është i mirëseardhur dhe i ka rekomanduar KQZ-së disa rekomandime serioze. Konsideroj se do të ndikoj në imazhin e vendit tonë. Ne përveç vëzhgueseve të BE-së do të kemi edhe vëzhgues të partive politike si dhe shoqërisë civile. Falënderoj BE-në për gatishmërinë e tyre pavarësisht se nuk është në misionin e tyre”, tha Daka
Përfaqësuesi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Riccardo Serri, bëri të ditur se këto zgjedhje do të përcillen nga një ekip bazik i BE-së.
Serri porositi të gjithë liderët politik që zgjedhjet të shkojnë në mënyrë të duhur, pa retorika.
“Kjo është hera e pestë që vëzhguesi i BE-së vjen në Kosovë. Ne kemi një raport të plotë se si të zgjidhet procesi zgjedhor. Ndonjëherë janë disa gabime teknike dhe të detajuara por duhet të përcillen që të përmirësojnë procesin zgjedhor. Rekomandimet qe janë bërë në zgjedhjet e kaluara nuk janë implementuar, prandaj fatkeqësisht nuk kemi pasur mundësi ti përcjellim këto rekomandime. Sapo kemi zgjedhur marrëveshjen administrative, do të kemi një ekip bazik që do të vijnë së shpejti në Kosovë. Ne do të përkrahim transparencën e zgjedhjeve. Ftoj të gjitha liderët politik që këto zgjedhjet të jenë më standarde evropiane dhe të drejtë pa retorika”, tha Sarri.