Rektori i UBT-së, Edmond Hajrizi ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me kryetarin e komunës së Skenderajit, Bekim Jashari, me qëllim të bashkëpunimit në zhvillim dhe implementim të projekteve në fushën e ekonomisë, industrisë, në urbanizëm dhe fusha të tjera që janë në interes të përbashkët.
Falë kësaj marrëveshjeje, komuna e Skenderajit do të përfitojë përvoja profesionale dhe ide inovative nga ekspertët dhe studentët e fushave përkatëse për zgjidhjen e problemeve të komunitetit.
Rektori Hajrizi dhe kryetari Jashari janë dakorduar që bashkërisht do të ndërtojnë kapacitete institucionale dhe zhvillimore, teksa muajt në vazhdim do të hartojnë projekte dhe programe të caktuara si pjesë e rëndësishme e marrëveshjes së bashkëpunimit.
UBT përmes kësaj marrëveshjeje do të ofrojë bursa studimi për studentët e Skenderajit, në mënyrë që të rinjtë e kësaj komune të kenë qasje në edukim cilësor, me ç’rast vlerësohet të ndërtohen kuadro profesionale që ndihmojnë në ngritjen e nivelit ekonomik.